Korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës, ka "boshtatisur" Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit në Kukës. Për 32 punonjës të policisë kufitare me funksione të ndryshme përfshirë edhe drejtorin e kësaj drejtorie, Fran Kaçorrin, (i pezulluar nga detyra) janë prerë masat e sigurimit personal nga GJKKO, nga të cilët për 17 efektivë në 'arrest me burg', 14 në ‘arrest në shtëpie’, përfshirë edhe 2 qytetarë, si dhe 3 të pezulluar nga detyra.
Sipas SPAK, gjatë hetimeve është dokumentuar veprimtaria e kundraligjshme e punonjësve të policisë kufitare në Kufitare në Kukës gjatë kohës së kryerjes së shërbimit në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë. Veprimet e kundraligjshme konsistonin në rastet të shumta korruptive të kryera në vijimësi gjatë ushtrimit të detyrës nga e këtyre punonjësve, duke detyruar shtetas shqiptar dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas.
Hetimi është kryer nga prokurorët Dritan Premçi dhe Vladimir Mara, ndërsa Report Tv mëson se gjyqtarja Erjon Bani ka administruar 250 faqe prova e fakte të 312 episodeve të ndryshme të korrupsionit dhe 'shpërdorimit të detyrës'. Nga hetimi ka rezultuar se policët i merrnin qytetarëve minimalisht 10 euro të cilat i ndanë me njëri tjetrin në fund të turnit. Burime për Report Tv bëjnë me dije se pothuajse çdo minutë regjistrohej një rast ryshfeti dhe vlera me e ulët arrinte 10 euro, ndërsa përgjimet janë kryer me fotografime.
Operacioni po zhvillohet në kuadër të luftës kundër krimit dhe korrupsionit në pikat kufitare, në vazhdën e aksionit “Pika”, ku Inspektorati Policor i Kosovë ka zbarkuar në pikën kufitare në Vërmicë, pas identifikimit të zyrtarëve policorë që dyshohen të jenë të përfshirë në disa vepra penale. Burimet nga Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se gjatë këtij aksioni të koduar si “Pika 2” pritet të vihen në prangat e IPK-së dhjetëra zyrtarë policorë nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje ryshfeti”.
Pritet që të ndalohen edhe rreth 20 policë të Kosovës të cilët dyshohen se për muaj të tërë u kanë mundësuar dhjetëra qytetarëve shqiptarë dhe kosovarë kalimin kufitar në mënyrë të parregullt, për çka dhe kanë pranuar si ryshfet shuma të konsiderueshme të parave. Operacioni po zhvillohet në bashkëpunim edhe me SPAK.
Ky është aksioni i dytë që po zhvillohet brenda pak javësh për korrupsionin në pikat kufitare të Kosovës. Në aksionin e parë te IPK janë arrestuar 48 zyrtarë policorë dhe dy doganierë. Ata ishin dërguar në mbajtje me vendim të gjykatës.