Zyrtarisht AKU njofton pronarin e ngarkesës që ta asgjësojë atë, por kjo është një procedurë tejet e komplikuar në vetvete. Asgjësimi duhet të kryhet nga një komision prej katër anëtarësh: që përbëhet nga një përfaqësues nga AKU, një përfaqësues nga ministria e mjedisit, një përfaqësues nga tatimet dhe një nga biznesi privat.
“Ligjërisht duhet të asgjësohet, por ne nuk kemi sot një informacion se ku shkojnë sasitë e produkteve që kthehen në pikat doganore. Eksportuesit shqiptarë e kanë shumë më të lehtë ti kthejnë ato produkte në vendin e origjinës se sa ti asgjësojnë në vendet e BE sepse kanë kosto shumë të larta në BE. Se sa janë asgjësuar nuk e di askush”, u shpreh Granit Sokolaj, ekspert/siguria ushqimore.
“Nga ana tjetër rrisku është që ato produkte të kenë dalë në tregun tonë. Mund ti ketë çuar ne tregun e shumicës në Lushnje me çmim më të lirë, nga ku furnizohen shumica e tregjeve në Shqipëri”, u shpreh Granit Sokolaj.
Në piramidën e problemeve që kanë produktet e mbrojtjes së bimëve, me sa duket abuzimet nga fermerët janë të fundit.
Pasi importohet një pesticid, ato në shumicën e rasteve riamballazhohen dhe paketohen në vendin tonë. Por kjo procedurë ka ngritur dyshime që shpesh lëndët aktive nuk përputhen me përmbajtjen e etiketës. Ky dyshim është vërtetuar edhe nga AKU në të shkuarën. Në një inspektim konkret, AKU analizoi 31 mostra pesticidesh që përdorin fermerët shqiptarë. Referuar analizave të laboratorit të ISUV, 5 lloje pesticidesh rezultuan me lëndë aktive jashtë normave të përcaktuara në certifikatat e cilësisë që i shoqëronin.
Urdhri për analizimin e 200 produkteve, pse u mbajtën të fshehura përgjigjet
Ndonëse produktet shqiptare janë mjaft të kërkuara për shkak të cilësisë, amullia në funksionimin në zinxhirin e kontrollit u lë dorë të lirë abuzuesve që të prishin imazhin e prodhimit “made in Albania”.
Ky është urdhri nr.365, sipas të cilit ish ministrja Frida Krifca urdhëroi institucionet e varësisë të analizonin 200 produkte të ndryshme bujqësore, për praninë e pesticideve. Produktet, si speca, domate, kastravec, etj, të marra nga fermat në të gjithë vendin do të krijonin një panoramë për sigurinë ushqimore në vend.
Produktet u analizuan si pjesë e një projekti të Komisionit Europian. Por, rezultatet e përfituara e kanë detyruar ministrinë e Bujqësisë ta konsiderojnë “top sekret”.
“Inside Story” mëson se një pjesë e mostrave kanë rezultuar me pesticide të ndaluara, si dhe me pesticide mbi normë. Ajo që është më alarmante është fakti se kanë rezultuar edhe ndotje krejtësisht të panjohura, që nuk dihet nga vijnë.
“Përveç faktit se kanë rezultuar disa PMB të ndaluara, kanë rezultuar edhe 10 kimikate për të cilat nuk ka origjinë, dhe kanë rezultuar edhe në bimë edhe në tokë që do të thotë se toka është e ndotur”, u shpreh Granit Sokolaj.
Megjithëse projekti është mbyllur në muajin tetor, ministria e zënë ngushtë nga këto rezultate, ende nuk ia ka dërguar as zyrës së KE-së. As ministria e Bujqësisë dhe as Agjencia Kombëtare e veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, që ka bërë mbledhjen e mostrave në terren, nuk pranuan të na vënë në dispozicion këtë dokument.
“Arsyeja mendoj që lidhet pikërisht është gjetja e këtyre kimikateve që nuk dihet se çfarë janë dhe nga kanë ardhur në bimë. Nuk janë produkte të mbrojtjes së bimëve të përdorur gjatë kohës së zhvillimit të këtyre bimëve, por janë të hershme, të 20 apo 30 vjetëve përpara”, u shpreh Granit Sokolaj.
Produkte të rrezikshme nga importi bëjnë namin, asnjë njoftim për konsumatorët
Situata është alarmante edhe për produktet që vijnë nga importi. Zyrtarisht AKU duhet të njoftojë konsumatorin sa herë lajmërohet për produkte të rrezikshme, por kjo nuk ndodh thuajse asnjëherë.
Gjatë muajit janar parë sistemi i alertit të komisionit evropian njoftoi se në Shqipëri kishin mbërritur gjela sheqeri, aq të preferuar për fëmijët, me copa metali apo gozhde në brendësi. Ngarkesa ishte e prodhuar në Kinë.
Pok ditë pas këtij rasti, sërish u ndez alarmi për 45 kg kajsi të thata me përmbajtje të dioksidit të sulfurit. Edhe në këtë rast AKU ka heshtur dhe nuk ka patur asnjë njoftim rrisku apo komunikim me publikun.
Rastet e falsifikimit ish-ministri i Bujqësisë nuk i konsideron të rëndomta.
“Pasi aty mund të futesh edhe lëndë me një toksicitet të lartë, që mund të ketë një ndikim shumë të madh në shëndetin publik me pasoja të jashtëzakonshme” u shpreh Edmond Panariti, ish-ministër i Mjedisit.
Cila është zgjidhja në këtë situatë?
“Në rast se e mbjellin Shqipërinë nga Veriu në Jug me biznes të vogël, ne e kemi mbjellë me njerëz”, u shpreh Panariti.