Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka dhënë sot vendimin për një denoncim, sa i përket shkeljeve administrative të bëra në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, pasi më 16 shkurt 2022 ambientet e spitalit të Lushnjës u përdorën për fushatë elektorale brenda orarit të punës.
KAS ka gjobitur me një milionë lekë të vjetra kryebashkiaken e Lushnjës, Eriselda Sefa, me 250 mijë lekë të vjetra sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Geraldina Prodani, si dhe me 25 mijë lekë të vjetra është gjobitur drejtori i spitalit të Lushnjës, Perin Vogli.
KAS ka vendosur të pushojë procedimin penal për Partinë Socialiste dhe ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliun.
Njoftimi:
Komisioni Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi kërkesën e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për vendosjen e sanksionit administrativ ndaj kandidates për kryetar bashkie dhe njëkohësisht kryetare e bashkisë Lushnjë, zj. Eriselda Sefa në vlerën 50000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
Në përfundim të shqyrtimit, KAS vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës nr. 1, datë 23.05.2022 të KShZ dhe vendosjen e sanksionit administrativ të mbështetur në pikën 1 të nenit 172 të Kodit Zgjedhor në vlerën 100000 (njëqindmijë) lekë.
Gjithashtu, mbështetur në pikën 1 të nenit 171 të Kodit Zgjedhor, KAS vendosi sanksionin administrativ ndaj Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, zj. Gelardina Prodani në vlerën 25000 (njëzet e pesëmijë) lekë dhe mbështetur në pikën 2 të nenit 171 të Kodit Zgjedhor vendosi sanksionin administrativ ndaj Drejtorit të Spitalit Ïhsan Çabej” Lushnje, z. Perin Vogli në vlerën 2500 (dymijë e pesëqind) lekë.
KAS vendosi pushimin e procedimit administrativ ndaj subjektit zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë” dhe ndaj Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Zj. Ogerta Manastirliu.