Në kuadër të operacionit “Kartela e kuqe”, është arrestuar në Greqi një shqiptar i dënuar me 16 vite burg për vjedhje me armë të kryer në bashkëpunim.
Bëhet fjalë për 39-vjeçarin Eduard Vushaj, i cili është dënuar nga Gjykata e Shkodrës me 16 vjet heqje lirie pasi në 2013-ën në fshatin Grabom ai ka ndaluar një automjet duke kanosur me armë dy persona.
Më pas, u ka marrë paratë dhe automjetin duke i plagosur të dy me thikë.
“Si rezultat i informacionit të siguruar nga Fast Albania dhe DVP Shkodër si dhe shkëmbimit të këtij informacioni nëpërmjet Interpol Tiranës me homologët në Athinë, u finalizua operacioni “Kartela e kuqe”. Në kuadër të operacionit, Policia greke lokalizoi, kapi dhe arrestoi provizorisht me qellim ekstradimi shtetasin Eduard Vushaj, 39 vjeç. Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, për ekstradimin e 39-vjeçarit, në Shqipëri”, thotë Policia.