Pesë muaj pas plagosjes me armë zjarri të Kujtim Metës në Lushnje, policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar.
Ai është 29-vjeçari Dorian Shurdhi nga Lushnja, ndaj të cilit është vendosur masë sigurie arrest në burg në mungesë nga Gjykata e Lushnjes. 29-vjeçari Shurdhi akuzohet për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. 29-vjeçari është shpallur në kërkim nga policia.
Ky i fundit qëlloi me armë zjarri 44-vjeçarin Kujtim Meta më 20 Prill 2022 në një lokal në lagjen “Skënder Libohova” në Lushnje.
44-vjeçari u dërgua në spital nga pronari i lokalit ku po qëndronte për të pirë kafe, dhe mundi të shpëtonte.
Kujtim Meta kishte vetëm 20 minuta që ishte ulur në lokal kur autori u fut brenda dhe qëlloi në drejtim të tij me një pistoletë me silenciator. Meta mori 4 plumba në pjesë të ndryshme të trupit.