Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me atentatin që iu bë të riut Aleksandër Sadikajt sot në Tiranë, ku teksa ecte drejt Saukut, makina e tij shpërtheu.
Atentatorët kanë qenë dukë e vëzhguar gjatë gjithë kohës 27-vjeçarin dhe në momentin që automjeti tip “Wolksvagen”, me targa AB077 PO, ka nisur të lëvizë, kanë shpërthyer lëndën plasëse me telekomandë.
Përveç se kanë vrarë në mënyrën më makabre Aleksandër Sadikajn, organizatorët e atentatit të sotëm në Tiranë duket se nuk kanë marrë fare parasysh edhe se mund të vrisnin edhe persona të tjerë.
Lënda plasëse shpërtheu në aksin Tiranë-Elbasan, vetëm pak metra larg rrethrrotullimit që të fut në autostradën në drejtim të Elbasanit. Për shkak të punimeve që po bëhen në rrugë, pranë vendit të ngjarjes janë mjaft mjete pune, punëtorë si edhe ka patur makina të tjera në trafik, por kjo nuk i ka ndaluar autorët që të vepronin sipas planit të tyre.
Aleksandër Sadikaj doli me shenja jete nga makina, me njërën prej këmbëve të prera si edhe me plagë të shumta në trup, por humbi më pas jetën në spital prej hemorragjisë.
Policia nuk ka ende një pistë hetimi, megjithatë rezulton se i riu është proceduar më parë penalisht për tentativë vrasje. Nuk ka të dhëna nëse të dyja ngjarjet lidhen me njëra-tjetrën pasi është shumë herët dhe policisë i duhet të bëjë kërkime të tjera për të patur një pistë të mirëfilltë hetimi.