Sulmi kibernetik u realizua falë "Hamzait", me hakerat iranianë bashkëpunoi edhe një shqiptar

13 September 2022, 18:02Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sulmi kibernetik u realizua falë "Hamzait", me hakerat
Foto ilustruese

Janë zbardhur detaje të reja lidhur me sulmin kibernetik të së premtes ndaj sistemit TIMS, ADAM, MEMEX, ku sulmi merr përmasa edhe më të mëdha seç është raportuar deri më sot. Nga ky sulm nuk u cënua vetëm privatësia, por dhe siguria individuale, shtetërore dhe kombëtare. Sistemet TIMS, ADAM, MEMEX u hakeruan nga hakersat iranianë dhe arritën të merrnin të gjitha informacionet kofidenciale që mbartin.

Sistemi ADAM ka të gjitha ngarkesat penale të qytetarëve të arrestuar, ndaluar, apo dyshuar për një ngjarje. Sistemi MEMEX ka informacione sekrete mbi ngjarje dhe sistemi i Menaxhimit Policor të çështjeve, ka gjitha veprimet e kryera nga policia.

Edhe pse autoritetet shqiptare thonë që sistemet tashmë janë vendosur në funksion dhe qeveria pretendon se nuk pësuam dëme, burime kofidenciale nga hetimet brenda vendit dhe nga vendet partnere të Shqipërisë bëjnë me dije për News 24 se sistemi TIMS ende nuk është marrë në zotërim të plotë nga autoritetet shqiptare.

Vetëm TIMS kombëtar është vënë në funksion dhe po punohet ne aeroporte me të, ndërsa sistemin ndërkombëtar të TIMS ende nuk e kemi. Që do të thotë që persona me precedent penalë nga vendet e huaja mund të vijnë në vendin tonë dhe sistemi ynë nuk ka mundësi që t’i identifikojë. Jo vetëm ata që vijnë nga jashtë (për personat në kërkim), por edhe ata që dalin është e vështirë të identifikohen manualisht.

Kujtojmë që ditën që u sulmua sistemi TIMS, rreth 200 persona fluturuan nga Shqipëria drejt Dubait, vendi i cili është bërë streha e krimit shqiptar, për t’i shpëtuar ekstradimit, pasi vendi ynë nuk ka marrëveshje ekstradimi me Dubain.

Hakerat kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë çdo javë me publikimin e të dhënave të marra nga sistemet shqiptare. Jo vetëm kaq, por të dhënat e përftuara nga e-Albania ata i kanë nxjerrë në shitje ku një gigabite informacione shitet 0.05 bitcoin, ku në total janë rreth 220 gigabite informacione.

Njgarja merr përmasa të tjera edhe më të mëdha, pasi News24 mëson nga burime nga hetimet brenda vendit dhe nga vendet partnere të Shqipërisë se pas këtij sulmi kibernetik në bashkëpunim me hakersat iranianë është edhe një shtetas shqiptar, i cili ka mundësuar rrugën për futjen në sistem të hakersave iranianë.


Video