Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon se, bazuar në informacionet paraprake të marra në rrugë operative nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (ShKBB), me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Adriatik Kupi për arsye sigurie është kryer transferimi i të dënuarit me burgim të përjetshëm, me iniciale M.P., nga IEVP Peqin në IEVP Burrel.
Vox News mëson se bëhet fjalë për Miklovan Parubi, njeriut që bëri masakër në një lokal në tetor të vitit 2016, ku vrau dy persona.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në momentin e pranimit në IEVP Burrel, në materialet personale të të dënuarit është konstatuar, e fshehur në një çorape, një qese e vogël e dyshuar si lëndë narkotike.
Menjëherë janë njoftuar drejtuesit e institucionit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve si dhe Komisariati i Policisë Burrel, i cili ka marrë në dorëzim materialin për kryerjen e ekspertizës përkatëse.
Ngjarja po ndiqet sipas procedurave ligjore në fuqi.