Greqia i është përgjigjur menjëherë pozitivisht kërkesës së Shqipërisë për ndihmë drejtuar Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së për shuarjen e zjarrit në masivin pyjor të Pishporos, e para që ka ardhur në ndihmë është Greqia.
Athina ka vendosur në ndihmë të Agjencisë së Mbrojtjes Civile një avion Canadair për të luftuar flakët.
Lajmin e jep ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili shkruan në rrjetet sociale:
“Greqia i është përgjigjur kërkesës së Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Shqipërisë me një avion Canadair për ndërhyrje nga ajri në vatrën e zjarrit në Pishë Poro, në Fier. Falënderojmë fqinjët tanë, për ndihmën në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile!”.
Ndërhyrja nga ajri vjen në kushtet kur ministri i Brenshëm Taulant Balla theksoi në intervistën e tij për mediat se ajo është e domosdoshme në zonën që digjet prej 6 ditësh, pasi forcat zjarrfikëse edhe pse të shumta në numër e kanë të pamundur fikjen e zjarrit nga toka.
Shqipëria ishte një ndër vendet që i shkoi në ndihmë Greqisë për shuarjen e zjarreve shkatërrimtare në Alexrandopuli në muajin gusht.