Policia e Divjakës ka reaguar pas denoncimit të deputet Saimir Korreshi për grabitjen e një pike të "Western Union" sot në Divjakë.
Ndryshe nga deputeti, Policia thotë se autori ka qenë një i vetëm, ende i paidentifikuar dhe uniformat blu po punojnë për identifikim dhe kapjen e tij.
Por, burime bëjnë me dije se ngjarja është filmuar e gjitha nga kamerat e sigurisë. Një person i maskuar, është futur brenda pikës së shkëmbimit të parave dhe nën kërcënimin e kallashnikovit, i ka detyruar punonjësit të mos lëvizin.
Ai ka arritur të marrë ç'ka gjetur aty dhe është larguar me shpejtësi. Jashtë ambientit e priste një tjetër person i maskuar me motorçikletë dhe më pas janë larguar së bashku.
Njoftimi i Policisë
Pasditen e sotme, në qytetin e Divjakës, në një pikë këmbimi valutor, një person i vetëm, ende i paidentifikuar dyshohet se nën kërcënimin e armës ka vjedhur një shumë parash dhe më pas është larguar me shpejtësi.
Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli dhe vijon kontrolli i zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe vijon punën për fiksimin e çdo prove materiale që do shërbejë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.