Tre personat e arrestuar sot në Shqipëri, në kuadër të operacionit “Puzzle 2020”, janë pjesë e një rrjeti të gjerë të trafikut të drogës në Itali.
Të arrestuarit në Tiranë janë Ardian Korriku, Jurgen Korriku dhe Etleva Adami, të shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit të koduar “Puzzle 2020”, për trafik ndërkombëtar të drogës.
Dyshohet se Ardian Korriku është i pëfshirë edhe në krime të tjera si mashtrimi përmes kriptovalutave.
Të tre të arrestuarit janë pjesë e një rrjeti që kanë tentuar të trafikojnë një sasi të madhe droge, kanabis dhe kokainë, plot 420 kilogram dhe me një vlerë prej rreth 30 milionë euro.
Në kuadër të këtij operacioni, në Itali dhe Gjermani janë arrestuar 16 persona të tjerë, identitetet e të cilëve nuk janë bërë ende publike.
Sipas mediave italiane, kreu i bandës është një shtetas shqiptar banues në Ponte di Piave, Treviso. Hetimet, të nisura gati tre vjet më parë dhe të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Venecias, u zhvilluan pas arrestimit të një shqiptari dhe një gruaje italiane, të ndaluar në Padova në janar 2020 dhe sekuestrimin e 2 kilogramëve heroinë që u gjet në makinën e çiftit.
Në kuadër të operacionit të nisur orët e para të mëngjesit të sotëm në Itali, u sekuestruan 420 kg drogë e llojit kokainë dhe kanabis e cila shpërndahej nëpërmjet disa korrierëve në zonat e Ankonës, Arezzo, Bari, Bergamo, Bolonja, Modena, Novara , Ravenna, Udine, Venecia dhe Veronas.
Gjithashtu janë sekuestruar mallra me vlerë 2 milionë euro dhe 1 milionë euro “cash”. Trafiku i drogës bëhej në Gjermani, Shqipëri dhe Itali. Korrierët përdornin celularë të enkriptuar me origjinë shqiptare, të pajisur me sistemin e mesazheve të çastit “Matrix” dhe përdorej për kujdesin për logjistikën dhe lëvizjen e sasive të mëdha të drogës.