Ka nisur sot seanca e pyetjes së dëshmitarëve të thirrur nga SPAK për tragjedinë e Gërdecit, mes të cilëve do të jetë edhe Shkëlzen Berisha.
Alketa Hazizi, ish-punonjëse e fabrikës së demontimit, është një prej dëshmitareve e marrë në pyetje për tragjedinë e Gërdecit. Ajo tha se nuk ishin trajnuar se si bëhej çmontimi i armëve.
Dëshmia e Alketa Hazizit:
Kam punuar për disa muaj, nga shpërthimi më ka humbur jetën vjehërri. Nuk kishim kontrata pune dhe nuk kishim bërë trajnime se si bëhej çmontimi i armëve. Në fillim bashkë me burrin dhe vjehrrin e kemi nisur duke çmontuat fishekë dhe më pas kemi kaluar tek predhat. Procedura ishte e njëjtë i çmontonim me çekiçë u hiqnim diabolën dhe më pas predhat merreshin me fadromë ndërsa baruti futej në thasë dhe dërgohej në magazinë. E gjithë fusha ishte e mbushur me barut, nuk e kuptova nga dolën flakët vetëm kam dëgjuar të bërtiturat, flakë, ngrita kokën dhe pashë që flaka ishte tek thasët e barutit. Flakët ishin të larta dhe nuk kishim mundësi që ta shuajmë. Më pas të gjithë kemi tentuar që të largohemi me vrap që të shpëtojmë.
Ne i mbushnim thasët me barut dhe i transportonim me karroca, dëgjova ulërimat, aty kam parë flakët, isha në distancë gati 10 metra nga flakët. Zjarri ishte në pjesën e poshtme të fabrikës. Unë njoh vetëm Dritan Minxollin dhe Vangjelin. Duke ikur kam shkelur dhe me viktima, në afërsi të portës kryesore jam rrëzuar, e shikoja që po merrja flakë por nuk mund të largohesha kam pasur 32% të trupit të djegur. Fatmir Mediun se kam parë as e njoh. Aty kam patë një person tjetër emri s’më kujtohet.