Ministria e Brendshme, ka konfirmuar se Gjykata e Apelit të Janinës ka dhënë vendim pozitiv për ekstradimin e Laert Haxhiut, shkruan tch.
“Për ekstradimin e Haxhiut, Gjykata e Shkallës së Dytë të Janinës propozoi pozitivisht. Por Haxhiu ka të drejtë, sipas legjislacionit grek, të kërkojë shqyrtimin e ekstradimit të tij nga Gjykata e Lartë.”
Laert Haxhiu ndodhet aktualisht i burgosur në Janinë për veprat penale largim nga vendi i aksidentit dhe prishje e qetësisë publike.
Kërkesa e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij në Gusht u rrëzua nga Gjykata e Janinës.
Laert Haxhiu nga Lushnja është dënuar me 18 vite nga Gjykata e Lartë teksa vijon procesi në GJKKO për “Masakrën e Lushnjës” që e përfshin Haxhiun në ngjarje.
Gjithashtu ai u shpall në kërkim nga Prokuroria e Elbasanit edhe në kuadër të operacionit “Never Forget” pas dëshmisë së Artan Tafanit, bashkëpunëtor i drejtësisë, ku ai del autor apo organizator i disa vrasjeve.
Haxhiu gjithashtu kishte planifikuar të eleminonte edhe prokuroren e posaçme Doloreza Musabelliu, sipas dëshmisë së Tafanit.
Pas kësaj, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani iu drejtua Policisë së Shtetit me një shkresë ku i kërkonte marrjen në mbrojtje të prokurores.
Laert Haxhiu dhe grupi i tij kërkonte vrasjen e saj për shkak se kishte hetuar dy miqtë e tij, Orges Bilibli dhe Anterio Kaloshi, dhe vetë atë për masakrën e vitit 2017 në Lushnjë.