Reforma në Drejtësi për shumicën e juristëve që merren me çështje civile ka sjellë një handikap të madh në çështjet e divorceve, urdhërave të mbrojtjes, ndarjes së pasurisë, apo shumë çështje të tjera që lidhen me problemet bashkëshortore.
Juristët japin alarmin dhe kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për këtë çështje. Gazetari Armand Bajrami me kamerën e A2Cnn bisedoi me disa prej tyre duke treguar edhe realitetin në gjykatë.
Në gjykatën e Tiranës nga 75 gjyqtarë që ka pasur, në vitin 2023 e nisin punën me 37 gjyqtarë. Nga këta, 15 janë të dhomës penale e 22 janë të çështjeve civile.
Sipas të dhënave të siguruara nga gjykata nga gazetari Bajrami, në vitin 2022 u regjistruan 20,826 çështje civile, ndërkohë që 17600 çështje u mbartën nga një vit më parë.
Por një proces i thjeshtë divorci në gjykatë nga 3 muaj deri në 1 vit që merrte përpara reformës në drejtësi në 2016, tani duhet të ndodhë për 2 deri në 3 vjet. Një procedurë të tillë ka pasoja të shumta, që lidhen me dhunën në familje dhe urdhëra mbrojtjeje, pasi bashkëshortët që do të divorcohen janë të detyruar të jetojnë nën një çati, e për më tepër, fëmijët, janë më të prekurit e gjithë këtyre procedurave të tejzgjatura të drejtësisë.
Juristët dhanë edhe çështje reale nga dosjet e tyre që kanë dështuar në përmbushjen e pritshmërive nga drejtësia. Nën moton, “një drejtësi e vonuar, është drejtësi e mohuar” juristët që folën për gazetarin Bajrami, kanë kërkuar që sistemi të vendoset në funksion të plotë, për të mos krijuar më problematika sociale që sa më shumë kalon koha, aq më të vështira janë për të marrë zgjidhje.
“Një martesë që po zgjidhej dhe njëri nga partnerët kishte krijuar një lidhje tjetër dhe priste një fëmijë. Dhe ishte problem se ku do të regjistrohej fëmija që kishte në lidhje të re. Do ketë zgjidhje të mëvonshme por një fëmije që sa lind i privohet e drejta e marrjes së një emri dhe mbiemri”, tha avokati Bledar Meminaj, duke treguar një nga rastet e reja, të një fëmije që ka ardhur në jetë e nuk merr dot një mbiemër për shkak të procedurave të tejzgjatura të divorcit.