Gjykata e Lartë ka kthyer për rigjykim në Apelin e GJKKO-së çështjen për ish-prokurorin e Vlorës, Aurel Zarka.
Në një njoftim të bërë publik ditën e sotme, Gjykata e Lartë njofton se ka vendosur “Prishjen e vendimit nr.62 (87-2025-398) datë 12.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me tjetër trup gjykues.”
Gjykata e Posaçme e kishte dënuar ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka me 4 vite burgim, që për shkak të gjykimit të shkurtuar i kthehej në 2 vite e 8 muaj. Gjithashtu atij i hiqej e drejta për ushtrimin e funksioneve publike për 5 vite.
Ish-prokurori i Vlorës kishte ankimuar vendimin, duke kërkuar rishqyrtim të provave dhe procedurave gjyqësore.
Zarka akuzohet se është përfshirë në korrupsion dhe ka ushtruar ndikimi te kolegët e tij.
Sipas SPAK-ut, Aurel Zarka ka qenë përdorues i aplikacionit Sky Ecc. Bisedat e kryera aty dhe verifikimet e tjera, treguan se ai u korruptua për një çështje në Gjykatën e Vlorës.
Ish-prokurori akuzohet edhe se ka tentuar të korruptonte një kolegun e tij në Vlorë për të pushuar një hetim dhe në 3 raste të tjera, ushtroi ndikim të paligjshëm te kolegët e tij.