Gio Basha nuk ka asnjë lidhje gjaku me Alqi Bllakon. Ky është sqarimi që bën juristi Sokol Hazizaj, avokati i ish-deputetit të PS-së, lidhur me lajmin e rremë të publikuar ditën e sotme në disa portale shqiptare.
Lajmi ishte se Gio Basha ishte gjobitur me 10 milionë dollarë dhe se në 2011 ishte hetuar për pastrim parash, ndërsa mashtronin kur e konsideronin atë si nip të Alqi Bllakos.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Hazizaj shpreh keqardhje të thellë që mediat, të cilat kanë publikuar lajmin e sajuar nga asgjëja, bëhen pjesë e skemës kundër klientit të tij, pa verifikimin e vërtetësisë së lajmit. Ai shton më tej se në vitin 2011 ka qenë student në master dhe s'ka se si të jetë e vërtetë lajmi se ka mbrojtur "nipin" e tij.
Hazizaj paralajmëron, se do të ngrejë padi për shpifje ndaj medias së huaj, të cilat i ishin referuar portalet shqiptare.
Reagimi i Sokol Hazizajt:
Përgënjeshtrim
Lajmet e sotme që lidhin klientin tim Alqi Bllako me një shtetas të quajtur Gio Basha janë të pavërteta. Zoti Alqi Bllako nuk ka asnjë lidhje gjaku apo njohje me këtë person. Në vitin 2011 Alqi Bllako ishte student në master, duke u diplomuar me një tjetër medalje të artë për rezultate të shkëlqyera.
E vërteta nuk mund të mbulohet me sajesa të tilla sa të shëmtuara, aq edhe qesharake. Shpreh keqardhje të thellë që mediat, të cilat kanë publikuar lajmin e sajuar nga asgjëja, bëhen pjesë e skemës kundër klientit tim, duke mos respektuar asnjë standard minimal për verifikimin e vërtetësisë së lajmit.
Si përfaqësues ligjor i zotit Bllako, ju informoj se nga hulumtimet tona media burim është një media e huaj, dhe po konsiderojmë të lidhemi me studiot e huaja avokatore, për të ndjekur hapat e duhur, jo vetëm për përgënjeshtrimin e lajmit, por edhe proçedurat e mëtejshme ligjore.
Me respekt,
Sokol Hazizaj
Avokat