Policia e Tiranës ka arrestuar dy grabitës dhe ka proceduar penalisht bashkëpunëtorin e tyre, pasi dyshohen si autorë të vjedhjeve të disa biznesve në kryeqytet dhe në Durrës.
Në kuadër të operacionit policor të koduar "Serial" janë vënë në pranga shtetasit Florjan Shupli, 19 vjeç dhe Rafael Tola, 20 vjeç, të dy banues në Kombinat, si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi E. B., për veprën penale "Vjedhja", kryer në bashkëpunim.
Policia njofton se nga verifikimet e kryera dhe provat e grumbulluara ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të dyshuar të disa vjedhjeve të ndodhura në Tiranë dhe në Durrës, më konkretisht:
- Më datë 29.09.2022, në Tiranë, në bulevardin “Migjeni”, gjatë natës, dyshohet se kanë vjedhur me forcë një shumë parash, në një farmaci;
- Më datë 28.09.2022, në Durrës, gjatë natës, dyshohet se kanë vjedhur në 3 biznese, në 1 farmaci dhe në 2 lokale;
- Më datë 24.09.2022, në Tiranë, gjatë natës, dyshohet se kanë vjedhur në 3 biznese, dy prej tyre në rrugën "Muhamet Deliu" dhe njëri në rrugën "Jordan Misja";
- Më datë 17.09.2022, në rrugën "Preng Bib Doda", dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash, në një biznes në pronësi të shtetasit A. Ç.;
- Në muajin qershor, në Ndroq, Tiranë, dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash, në një furrë buke.
Autoritetet njoftojnë se vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.