EMRAT/ Kanabis, kokainë dhe armë, arrestohen 7 persona në Shkodër, 5 të tjerë shpallen në kërkim (VIDEO)

16 October 2022, 16:52Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
EMRAT/ Kanabis, kokainë dhe armë, arrestohen 7 persona në
Arrestimi

Policia e Shkodrës ka ekzekutuar fazën e gjashtë të megaoperacionit policor të koduar “Qarku”, duke vënë në pranga 7 persona dhe duke e çuar në total në 33 numrin e të arrestuarve në kuadër të këtij operacioni.

Së fundmi, janë arrestuar shtetasit Suela Gucija, 43 vjeçe, Erdis Pepmarku, 19 vjeç, Emiljan Preçaj, 42 vjeç, të tre banues në Shkodër dhe Mirel Çokaj, 37 vjeç, banues në fshatin Grudë Fushë, Malësi e Madhe. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kultivonin, përpunonin dhe shisnin lëndë narkotike kanabis e kokainë dhe se mbanin armë zjarri.

"Gjatë kontrolleve fizike që shërbimet e Policisë kanë ushtruar ndaj këtyre shtetasve, të cilët ndodheshin në një lokal në lagjen “Fahri Ramadani”, Shkodër, u kanë gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike kanabis dhe kokainë të ndarë në doza, gati për shitje. Në vijim të kontrolleve, në çantën e shtetases Suela Gucija, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak." thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjithashtu, në pranga janë vënë dhe shtetasit  Edi Guri, 22 vjeç, Luljan Pepaj, 23 vjeç dhe Kole Frroku 30 vjeç, të tre banues në Shkodër.

Policia njofton se këta shtetas u kapën në aksin rrugor “Koman-Vau i Dejës”, teksa transportonin me një automjet tip “Benz”, 15 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Burimet zyrtare bëjnë me dije se nga veprimet hetimore në kuadër të megaoperacionit “Qarku”, për këtë rast, u shpallën në kërkim dhe shtetasit Kristja Pepaj, 24 vjeç dhe Viktor Pepaj, 20 vjeç, pasi rezultuan të përfshirë në veprimtaritë kriminale në fushën e narkotikëve, të goditura gjatë këtij megaoperacioni.

Faza e gjashtë e këtij megaoperacioni ka vijuar në Malësi të Madhe, në fshatin Gruemirë. Gjatë kontrolleve të ushtruara në sipërfaqet e tokave në pronësi të shtetasit P. C. Si rezultat, janë gjetur bimë kanabisi në proces tharjeje dhe një sasi lënde narkotike kanabis, e thatë, me peshë totale 62 kilogramë. Shtetasi P. C. u shpall në kërkim, si autor i dyshuar i këtyre veprimtarive kriminale.

Po në vijim të megaoperacionit në Malësi të Madhe, janë shpallur në kërkim edhe 2 shtetas të tjerë, P. A., 31 vjeç dhe D. A., 32 vjeç (vëllezër), të dy banues në fshatin Bardhaj.

Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se këta shtetas janë gjithashtu të implikuar në veprimtaritë e kultivimit, përpunimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, raste të cilat janë goditur në kuadër të këtij megaoperacioni.

Policia njofton se megaoperacioni vijon.


Video