Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Drejtoria Rajonale Shkodër - Lezhë) ka arrestuar në flagrancë katër punonjës policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
AMP njofton se “menjëherë pas marrjes së informacionit se shtetasi Hasan Verracaku, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, nuk është konstatuar në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje dhe në ruajtje, specialistët e AMP-së kryen veprimet hetimore dhe procedurale përkatëse, në përfundim të të cilave u bë arrestimi në flagrancë, i punonjësve të policisë:
* Inspektor Dorjan Hasandoçaj;
* Inspektor Gentian Xhanari;
* Inspektor Dioniz Hotaj;
* Punonjësit Ridvan Zefi,
me detyrë pranë Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër
Ndërkohë shtetasi Hasan Verracaku dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga neni 323 i Kodit Penal, duke thyer kushtet e masës së sigurisë të caktuar me vendim gjykate.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme”.
Hasan Ferracaku nën hetim për masakrën e Velipojës
Hasan Ferracaku, i hetuar si një nga autorët e masakrës së Velipojës ku katër persona humbën jetën në qershor të vitit 2021, është arratisur nga banesa ku po vuante masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndonëse ruhej 24 orë në 24 nga policia.
Ferracaku ndodhej në “arrest shtëpie” pasi i kishin përfunduar afatet e paraburgimit. Me vendim gjykate ai mbahej nën mbikëqyrje të vazhdueshme policore dhe prej rreth tre vitesh ruhej nga efektivët.
Ai mbeti i plagosur në përplasjen me armë të 26 qershorit 2021 në Velipojë, ku humbën jetën Kujtim Ferracaku, vëllezërit Edmond dhe Xhovani Gocaj, si edhe kamarieri 20-vjeçar Myzerim Zeneli, i cili ishte në ditën e parë të punës. Pas ngjarjes u arrestuan Hasan Ferracaku dhe nipi i tij, ndërsa në kërkim u shpallën edhe tre djemtë e tij.
Sipas hetimeve, konflikti mes familjeve Ferracaku dhe Gocaj nisi për ndarjen e një parcele shezlongësh në plazhin e Velipojës dhe më pas degjeneroi në përdorimin e armëve.