Për shkak të krimit të organizuar transnacional, i lidhur me trafikun e drogës, qeveria e Ekuadorit vendosi kërkesën për rivendosjen e vizave për qytetarët nga Shqipëria, Taxhikistani dhe Uzbekistani. Ky veprim vjen në mes të valës në rritje të pasigurisë dhe krimit të organizuar, ku qeveria e presidentit Guillermo Lasso ka zbatuar disa masa, ndër të cilat edhe ato diplomatike: kërkesa për viza për qytetarët e Shqipërisë, Taxhikistanit dhe Uzbekistanit.
Vitet e fundit, Ekuadori është kthyer në një qendër operacionesh për trafikantët evropianë të drogës, veçanërisht shqiptarët, malazezët, spanjollët, grekët, holandezët dhe belgët. Për këtë arsye, më 7 shtator, qeveria vendosi tërheqjen e hyrjes së lirë në territorin kombëtar për vendin e Gadishullit Ballkanik dhe dy vendet e Azisë Qendrore. Objektivi është të vendoset një kontroll më i madh i njerëzve që mbërrijnë në Ekuador.
Rasti i fundit i diskutueshëm që përfshin një shqiptar ishte zhdukja e Dritan Rexhepit, i njohur më mirë si “Cari i Kokainës”, pasi sistemi i drejtësisë ekuadoriane i dha atij lirimin paraprak në nëntor 2021. Shqiptari, i cili ka gjashtë identitete të ndryshme, u arrestua në qershor 2014 në Guayaquil, në një operacion që Policia e quajti 'Ballkani'. Kapja e tij solli në Ekuador policinë shqiptare dhe vetë Interpolin, sepse Rexhepi është në kërkim në dy vende evropiane, raportojnë mediat ekuadoriane.