Edhe Dhoma e Avokatisë Vlorë kundër zhvendosjes së Kadastrës në Tiranë: Nuk mund të na trajtojnë si një qytet të dorës së dytë

26 January 2026, 19:48Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edhe Dhoma e Avokatisë Vlorë kundër zhvendosjes së
Dhoma e Avokatisë Vlorë kundër zhvendosjes së Kadastrës në Tiranë

Edhe Dhoma e Avokatisë Vlorë është rreshtuar kundër vendimit për zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nga qyteti i Vlorës drejt Tiranës.

Sipas Dhomës së Avokatisë të Vlorës, ky është “një vendim i papranueshëm, i njëanshëm dhe thellësisht i dëmshëm për qytetin, profesionistët e drejtësisë dhe qytetarët e këtij qarku”.

Dhoma e Avokatisë Vlorë thekson se “ky veprim nuk është një rast i izoluar, por vazhdim i një politike sistematike të zbrazjes institucionale të Vlorës, e cila ka arritur kulmin me largimin e Gjykatës Administrative dhe Gjykatës së Apelit, duke e shndërruar qytetin në një periferi institucionale pa peshë në hartën e drejtësisë shqiptare”.

Sipas Dhomës së Avokatisë të Vlorës, largimi i institucioneve shtetërore nga Vlora përbën:

-Cenim të rëndë të aksesit në drejtësi dhe shërbime publike për mijëra qytetarë;

-Goditje direkte ndaj profesionit të avokatit, funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë juridike;

-Diskriminim territorial të hapur, që favorizon centralizimin ekstrem në Tiranë dhe braktis qytetet historike e strategjike të vendit.

“Vlora, një qytet me peshë historike, juridike dhe kombëtare, nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si një qytet i dorës së dytë. Vendime të tilla, të marra pa konsultim me komunitetin juridik dhe pa asnjë analizë reale të pasojave, përbëjnë shkelje të parimeve të shtetit të së drejtës dhe decentralizimit administrativ”, thekson Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë që sakaq kërkon:

-Rishikimin e menjëhershëm dhe anulimin e vendimit për zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës;

-Ndërprerjen e politikës së largimit të institucioneve nga Vlora;

-Rikthimin e funksioneve gjyqësore dhe administrative, të domosdoshme për një qytet të këtij dimensioni dhe rëndësie.

“Nëse kjo prirje vazhdon, Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë rezervon të drejtën të ndërmarrë çdo veprim institucional dhe ligjor, në bashkëpunim me aktorë të tjerë vendorë dhe kombëtarë, për të mbrojtur interesin publik dhe dinjitetin e qytetit të Vlorës.

Vlora nuk do të heshtë dhe nuk do të pranojë të zhvishet nga institucionet e saj”, përfundon deklarata Dhomës së Avokatisë të Vlorës. 

 


                 

                                                             


Video