Policia e Devollit ka reaguar në lidhje me një lajm të publikuar në rrjetet sociale ku pretendohej se dy vëllezër shtetasit O. Z. dhe B. Z., janë konfliktuar dhe e kanë dhunuar shtetasin Alti Nallbati, vëllai i deputetit të PD, Bledion Nallbati.
Por, sipas uniformave blu ky lajm nuk është i vërtetë. Përmes një njoftimi për mediat bëhet me dije se dy vëllezërit, të cilët akuzohen si dhunues, si dhe vëllai i deputetit të PD ku pretendohej se ishte dhunuar, janë shoqëruar në komisariat dhe kanë deklaruar se nuk janë konfliktuar dhe se nuk kanë probleme me njëri-tjetrin/
Pas intervistimit të kryer, të tre janë lënë të lirë.
Reagimi:
Në lidhje me një lajm të publikuar në rrjete sociale se në Devoll, dy vëllezër shtetasit O. Z. dhe B. Z., janë konfliktuar dhe e kanë dhunuar vëllain e deputetit të PD, shtetasin A. N., ju sqarojmë se lajmi është i pavërtetë.
Nga ana e Specialistëve për Hetimin e Krimit u kërkua të paraqiteshin në Komisariatin e Policisë Devoll dy vëllezërit O. Z. dhe B. Z., si dhe shtetasi A. N., të cilët janë pyetur dhe intervistuar në lidhje me ngjarjen e pretenduar.
Tre shtetasit kanë deklaruar se nuk janë konfliktuar dhe se nuk kanë probleme me njëri-tjetrin. Pas intervistimit të kryer, të tre shtetasit janë lënë të lirë.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë kërkon mirëkuptimin e mediave që para se të publikojnë lajme, të kërkojnë informacion zyrtar pranë DVP Korçë.