Zbulohet në Durrës bazë armësh që furnizonte grupet kriminale, momenti ku policia ndjek njërin prej të arrestuarve (EMRAT)

9 March 2024, 12:11Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zbulohet në Durrës bazë armësh që furnizonte grupet
Zbulohet bazë armësh që furnizonte grupet kriminale

Pas zbulimit të bazës së armëve në Vlorë dy ditë më parë (7 mars), një tjetër depo që furnizon grupet kriminale me armatime është zbuluar në Shkallnur të Durrës.

Në pranga të policisë kanë rënë dy të rinjtë Hekuran Troplini 20 vjeç dhe Emiljano Pasho,19 vjeç, të dy banues në fshatin Shkallnur. Arrestimi i njërit prej tyre u filmua edhe nga droni i policisë, pasi ai tentoi që t’u largohej efektivëve. Veshur me xhup të zi e me kapuç në kokë, në tentativë për t'u arratisur, ai u fut nëpër ullishte duke vrapuar, por më pas u rrëzua e u prangos nga policia.

Ndërhyrja e policisë u krye pas hetimeve se dy të rinjtë mbanin të fshehura armë zjarri luftarake kallashnikovë që më pas ua shisnin grupeve kriminale.

‘Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, gjatë muajve të fundit, kanë shitur sasi armatimi dhe municioni luftarak.’- thotë policia.

Brenda në bazë u gjetën 4 armë zjarri kallashnikovë me 20 krehra, qindra fishekë luftarak, 1 motomjet që shërbente për të lëvizur dhe transportuar armët e municionin, me qëllim shitjen,  63 700 lekë dhe një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Policia thotë se po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.


Video