Inside Story disponon dokumente zyrtare të cilat vënë në pikëpyetje transparencën dhe punën e organeve të drejtësisë.
Mbi të cilat mund të hedhësh dyshime se kanë dashur të fshehin krimin. Pas një muaji e 9 ditë që çështja është regjistruar, provat janë prishur e për rrjedhojë ato nuk janë më të vlefshme. Çfarë po përpiqet të fshehin me këtë ngjarje…?!
“Është ngjarje e rëndë për disa arsye; u mbajt e fshehtë për disa kohë. Nuk do ishte njësoj sjellja e policisë me një shtetase të BE-së. Rasti ka neglizhencë nga organet ligj zbatuese”, u shpreh eksperti i kriminalistikës, Artan Rexhepi.
“Një mos vlerësim i duhur i situatës. Jo vetëm me Xhoin edhe në raste të tjera. Është si rasti i statistikave. Nuk pyet se është njeri, por janë numra. Policia ka bërë veprime mekanike. Nuk e kanë ndjekur ngjarjen më pas. Nuk kanë pyetur, nuk kanë marrë kamerat e sigurisë”, u shpreh gazetarja, Anila Hoxha.
Sipas dokumenteve që Inside Story disponon, 22-vjeçarja keniane është dërguar si fillim në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” në datën 14 gusht 2022 rreth orës 14:00, në urgjencën e sëmundjeve të brendshme.
Pra, 2 orë pasi ajo ishte gjetur. Inside Story disponon edhe ekspertizën që i është bërë Joy Ayoko, në të cilën thuhet se vajza është intubuar. Asaj iu evidentua Politraumë dhe në këtë gjendje, citon dokumenti duhet të transferohet tek spitali i Traumës.
Rreth orës 19:55 të datës 14 gusht, 22 vjeçarja keniane është dërguar e intubuar në spitalin e Traumës në pavionin e Kirurgjisë. Por, askush nuk sqaron nëse vajzës i është bërë ekspertizë mjeko-ligjore lidhur me dyshimet se ajo është përdhunuar.
“Prokuroja më ka thënë që e ka bërë ekspertizën te Nënë Tereza por nuk mi japin përgjigjet sepse thanë që unë e nxjerr në media”, u shpreh mamaja e Xhoit, Ruth Abongo.
A u përdhunua vajza keniane para se të gjendej pa ndjenja?
Në dëshminë e saj znj. Ruth tregon se Emily ka telefonuar Joy Brendën për ti marrë fjalëkalimet e telefonit dhe laptopit.
Gazetarja e kronikës së zezë Anila Hoxha në një bisedë që ka patur me një punonjëse të kazinosë ku ka punuar Xhoi, është shprehur se në vendin e punës flitej që Xhoi është përdhunuar.
“E intervistuara më tha se Xhoi ditët e fundit kishte lëvizur për në jug dhe ishte abuzuar përpara se të ndodhte ngjarja. Abuzuar seksualisht, por e pa vërtetuar. Dëshmia e një punonjëseje. Tha se në kazino ishin të gjithë të trembur dhe lojtarët janë pakësuar. Grupi i hetimit nuk po bën veprimet e duhura”, u shpreh gazetarja, Anila Hoxha.
Çështja e dhunimit të Xhoy Ayoko është regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë si vepër penale “Plagosje e rënde me dashje”.
Regjistrimi i çështjes sipas përgjigjes që prokuroria i ka dhënë Inside Storyt mban datën 22 shtator 2022. Plot 1 muaj e 9 ditë pasi ngjarja kishte ndodhur.
“Çështja është ende në fazën e hetimeve dhe po ndiqet nga prokuror Arben Agovi. Informacion më i detajuar në lidhje me kete çështje nuk mund t’u vihet në dispozicion për shkak të respektimit të sekretit hetimor.”
Avokati: Veprimet hetimore për vdekjen e 22 -vjeçares të vonuara
Vonesa e organeve hetimore vihet re në të gjitha veprimet procedurale të kryera.
Rezulton se edhe marrja e shenjave të gishtave të vajzës, ka qenë mjaft e vonuar, vetëm pasi çështja u bë publike.
“Disa veprime hetimore që mund të ishin kryer më herët, janë kryer me vonesë nga ana e organit të akuzës siç ishte marrja e gjurmëve papilare dhe materialet për të bërë analizën e ADN-së krahasuese. Nuk i jap dot shpjegim pse këto veprime në këtë moment. Ka pasur mundësi të kryhen në një moment më të mëparshëm. Por duke qenë se çështja është në hetim nuk mund të paragjykojmë vendimmarrjen dhe veprimet e tyre. Duke parë dinamikën e ngjarjes nga dokumentet të vëna në dispozicion nga organet shtetërore aty ka një ngjarje të rëndë duke marrë parasysh dëmtimet nuk japim dot konkluzion konkret” u shpreh avokati”, tha Henri Bici.