Klarida Çeço, motra e Martin Çeço, i cili u mbyt me litar dhe u hodh në rezervuar nga tre persona në fshatin Kolanec të Maliqit, ka deklaruar se vëllai i saj nuk ka qenë i lidhur me vajzën që dyshohet se ka qenë shkaku i krimit. Ajo ka deklaruar se Martin Çeço vetëm fliste në telefon me atë vajzë.
Klarida ka treguar se Martin Çeço ka dalë për herë të fundit nga shtëpia në orën 23:00 të mbrëmjes së 12 Qershorit, pasi autorët e kanë kërcënuar se nëse nuk del ata do ja bënin mishin copa-copa dhe do i hidhnin bombë në banesë. Ajo tha se këtë gjë e ka dëgjuar babai i saj, i cili ka qenë pranë të birit.
“Më ka thënë babi se e kishte kërcënuar. Ajo vajza e ka marrë në telefon në orën 11 të darkës, ditën e ngjarjes. Duke e provokuar e ka pyetur ‘ca bën’ dhe pranë ka pasur atë djalin tjetër. Ai më pas i kishte dalë në telefon dhe aty e mori vesh se ishte me dikë tjetër.
Ai i kishte kërkuar për ta takuar për të dalë në kafe, dhe vëllai nuk donte. Ai i kishte thënë po nuk dole, do ta bëj mishin copa-copa. E kishte dëgjuar babi te veshin. Babi kishte marrë telefonin dhe e ka pyetur se çfarë do i bësh, e ka kërcënuar edhe babin.
‘Kaq e pati jeta ime’, i thoshte babit dhe doli me rrobat e gjumit dhe me shapka. Babi nuk e ndoqi pas, pasi kanë kaluar 5 minuta ka dalë dhe e ka thirrur. Ky ka qenë momenti i fundit. Ai djali në telefon i kishte thënë ‘nëse nuk del, do të hedh një bombë në shtëpi’. E prandaj ka dalë”, tregon e motra e të ndjerit gjatë një interviste televizive.
Martin Çeço u gjet më 16 qershor të këtij i pajetë në rezervuarin e fshatit Kolanec, Maliq. Për vrasjen e 26-vjeçarit janë arrestuar si të dyshuar Bleti Angjo, Valter Mollaj dhe Edlir Mollaj. Shkak i vrasjes dyshohet të jetë bërë një vajzë 18-vjeçare, me të cilën 26-vjeçari dyshohet se kishte pasur lidhje. Sipas burimeve, vajza kishte krijuar një lidhje paralele me viktimën dhe një nga autorët.