"Do krijojmë listën e zezë", Rama paralajmëron ndërtuesit problematikë: Do ketë penalitete të rënda!

21 July 2025, 18:55Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Do krijojmë listën e zezë", Rama paralajmëron
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me deputetët e zgjedhur të Tiranës në zgjedhjet e 11 majit dhe drejtuesit e strukturave të Bashkisë së kryeqytetit, ku në fokus ishte adresimi i problematikave në territor dhe nisja e një faze të re të transformimit urban.

Kryeministri ka paralajmëruar masa të forta kundër abuzimeve në industrinë e ndërtimit. Ai e cilësoi si një "mashtrim të madh" tolerimin e ndërtimeve për qëllime fitimi në kundërshtim me ligjin, duke njoftuar krijimin e një "liste të zezë" për ndërtuesit problematikë që shkelin të drejtat e qytetarëve dhe ligjin.

Kryeministri bëri thirrje për zgjidhje urgjente të problematikave përpara hyrjes në fuqi të aktit të ri ligjor, duke paralajmëruar pasoja të rënda për shkelësit.

Edi Rama:Po diskutojmë për mashtrimin e madh, ndaj të cilit janë mbyllur sytë për një kohë të gjatë në shumë pjesë të territorit. Nuk po flasim për banesat që janë ndërtuar për të futur kokën, por për ato që janë ndërtuar për qëllime fitimi.

Do të miratohet me ligj krijimi i një liste të zezë të investitorëve që abuzojnë dhe shkelin ligjin. Kushdo që hyn në këtë listë, do të humbasë të drejtën për të marrë leje ndërtimi dhe do të penalizohet nëse përfshihet në industrinë e ndërtimit.

Do të merren masa për një kategori ndërtuesish shumë problematikë, si ata mashtruesit në zonën ku ishim së bashku me ministrin e Drejtësisë, të cilët nuk linin banorët të futeshin në pallat, apo, fatkeqësisht, edhe të tjerë si ata që i lënë blerësit e apartamenteve të tyre në rrugë, pa dokumente hipotekore.

Masat do të jenë drastike dhe u bëj thirrje të nxitojnë ta zgjidhin këtë problematikë para se të dalë akti, sepse do të përballen me pasoja të rënda dhe do ta kenë shumë të vështirë. Ne na intereson që të zgjidhet problemi.

 


Video