Zjarri në komisariatin numër 5 në Kamzë dyshohet se është vënë nga 26 vjeçari Arben Mici i cili ndërroi jetë për shkak të plagëve që ka marrë nga flakët.
Mëngjesin e sotëm grupi i ekspertëve që ka shkuar në komisariat ka zbardhur rrethanat e ngjarjes. Ditën e djeshme Mici i arrestuar për dhunë në familje ka dalë para gjykatës penale të Tiranës ku është njohur me masën e sigurisë arrest me burg.
Mbrëmjen e kaluar 26 vjeçari është lejuar të ndezë një cigare dhe e kanë nxjerrë në korridor.
Në një moment është kthyer në qelinë e izolimit dhe i ka vënë flakën dyshekut. Nga asfiksia ka gjetur vdekjen 26-vjeçari, ndërsa është lënduar Dilaver Idrizi.
Në momentin kur ka parë tymin që ka dalë nga ambientet e paraburgimit, konkretisht në dhomën ku qëndronte 26 vjeçari, polici Hajredin Boja ka vrapuar dhe ka hapur derën, ndërsa ka tentuar të nxjerrë të riun.
Por 26 vjeçari i ka shpëtuar nga duart efektivit dhe është futur në tualetin e dhomës ku ai qëndronte.
Më pas kanë shkuar efektivët e tjerë të cilët kanë tentuar t’u japin ndihmë por s’kanë mundur për shkak të tymit.
Zjarrfikëset e kanë gjetur 26 vjeçarin të mbyllur në tualetin e dhomës së burgut, në gjendje të rëndë pasi ishte asfiksuar dhe me plagë në trup.
Fatkeqësisht ai ndërroi jetë në spital.
Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar 2 policë të komisariatit numër 5, Hajredin Boja 64 vjeç, i cili mbeti i lënduar teksa po tentonte të nxirrte të burgosurit, si dhe kolegu i tij Fatmir Isufi 64 vjeç.
Nën hetim janë inspektorët Lutfi Muça 64 vjeç me detyrë Nd/specialist Informacioni në Komisariatin nr. 5; Mark Marashi 52 vjeç me detyrë Nd/specialist Informacioni në Komisariatin e Nr. 5 dhe Komisar Ylli Çollaku 44 vjeç me detyrë Shef i Seksionit të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin Nr. 5.