Automjeti tip "Jeep Cherokee" me targa greke "BOO - 9195" që shihni në foton e mësipërme është një prej automjeteve që ka sekuestruar Policia e Sarandës në hetimet për zbardhjen e zhdukjes së dy 46-vjeçarëve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi i njohur si “Koçole”.
Burime bëjnë me dije se automjeti me xhama të zinj dhe i blinduar është zbuluar në një plantacion mandarinash në fshatin Xarrë të Bashkisë Konispol.
Gjithashtu, është sekuestruar dhe një automjet “Land Rover” Discovery me targa greke, i gjetur në një karburant në Qafë Gjashtë. Burime bëjnë me dije se ky automjet, përveç xhamave të zinj, kishte të instaluara brenda saj fenelina si të policisë, edhe pse këto nuk u gjetën në momentin e sekuestrimit.
Gjithashtu, është sekuestruar dhe një automjet “Mercedes-Benz” që dyshohet se ka kryer rrëmbimin. Ky mjeti rezulton që ka transportuar dhe autorët e vendosjes së eksplozivit në 5 dhjetor 2022 në banesën e shtetasit Lefter Lefteri alias Afëz Kulla në Sarandë. Policia e ndoqi me kamera sigurie këtë mjet deri në dalje të fshatit Gjashtë, ku mjeti mori drejtimin për në Nivicë, aty edhe ku u gjet, konkretisht në një garazh pa kyç të marrë me qira nga persona me banim në Sarandë.
Pavarësisht avancimit të hetimeve, ende nuk ka prova konkrete se pse janë kryer rrëmbimi dhe më pas dyshohet ekzkutimi i Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit alias Fatmir Krasniqit. Ende nuk janë gjetur trupat e pajetë dhe nuk janë lëshuar ende asnjë urdhër-arreste.
Kush janë Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi?
Leonard Thodhori njihet ndryshe si “Koçole” dhe është dënuar disa herë. Ai ka qenë i dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003, "Koçole" ka qenë prezent në automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar me pas për “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lendeve narkotike dhe i dyshuar si i përfshirë në trafik lëndësh narkotike.
Ndërsa, Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi ka qenë dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. Ai është arrestuar në prill të vitit 2022 në Lushnje, pasi në mjetin e tij “BMW” X5 u gjet një sasi kanabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.