Personi që shihni në foton e mësipërme është 49-vjeçari Edmond Papa, i cili mbeti i vrarë në atentatin e regjistruar pasditen e sotme në Tiranë.
Ai u ekzekutua me 9 plumba pistolete në zonën e Selitës, në momentin kur po futej në lokalin në pronësi të shtetasit V. Sh. në rrugën "Fadil Bodinaku". Ai sapo kishte parkuar mjetin e tij "Mercedes-Benz G-Class" anës lokalit dhe po futej brenda në momentin kur u vra. Autori ka qenë i maskuar me kapuç, sipas dëshmitarëve dhe është larguar me shpejtësi.
Edmond Papa ka qenë biznesmen disa prona në zonën e Ksamilit në Sarandë, mes tyre dhe një hoteli të njohur "Blue Sky" në qytetin bregdetar. Lidhur me këtë fakt policia po heton nëse ka pasur konflikte së fundmi.
Një tjetër pistë është dhe ajo e prishjes së pazareve të drogës, ku dyshohet se ai ka qenë i dënuar në Greqi.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit.