Mbyllja e kolegjit turk “Mehmet Akif”, një istitucion arsimor jopublik dhe kopshtit për fëmijë “Zubeyde Hanim”, pjesë e rrjetit “Turgut Ozal Education” ka shkaktuar zhurmë ditët e fundit në vendin tonë, pasi aludohet se ato janë mbyllur nga Qeveria pas kërkesës së presidentit turk Erdogan.
Ministria e Arsimit deklaroi se godina e re e kolegjit turk “Mehmet Akif” nuk plotësonte kushtet dhe sipas saj kjo ishte arsyeja e mbylljes, teksa godinën e vjetër, në zonën e “21 Dhjetorit” e ka blerë biznesmeni Sinan Idrizi.
Ky i fundit ka folur për herë të parë lidhur me këtë temë, teksa mohon të ketë lidhje me vendimin e ministrisë së Arsimit. Biznesmeni Sinan Idrizi ka deklaruar se blerjen e godinës e ka bërë me marrëveshje korrekte nga të dyja palët, teksa prej dy vitesh po ble godina në të gjithë Shqipërinë pasi do të investojë në sistemin arsimor duke hapur shkolla private.
“Unë nuk kam blerë vetëm godinën ku bëhet fjalë tek “21 Dhjetori”, kam që nga viti i kaluar kam blerë për të investuar në sistemin arsimor të Shqipërisë, në Shkodër, në Korçë, në Tiranë, jam duke negociuar për në Vlorë dhe në Berat. Janë dy gjëra krejt të ndryshme. Dëshira ime për të investuar në sistemin arsimor duke blerë pasuri të patundshme, objekte që kanë qenë në diskonim të këtyre grupimeve dhe gjë tjetër licencimi apo jo nga Ministria e Arsimit. Unë i kam blerë këto godina dhe pronari i tyre ligjor jam unë.
Kemi bërë një marrëveshje shumë korrekte, shumë serioze me ish-poseduesit e këtyre objekteve, një marrëveshje në kuadër të ligjit shqiptar, brenda çdo lloj procedure, e dorëzuar në mënyrë korrekte nga të gjitha palët dhe nuk e kuptoj se çfarë arsye ka sepse godina tek “21 Dhjetori” është dorëzuar ligjërisht dhe në mënyrë korrekte nga pala tjetër. Nuk e di çlidhje kanë komentet me këto që kam blerë unë. Investimi im aty do të jetë vetëm në arsim. Përrallat dhe historitë me ndërtim kullash në mes të Tiranës, më bëjnë pak një retro më çojnë në kohët kur kam marrë Flamurtarin, do prishja stadiumin e do ndërtoja kullat.
Unë dua të investoj në Arsim, por në Shqipëri, të investosh në Arsim ka gjithmonë një pikëpyetje nga mbrapa, ndërsa të jesh një kriminel që merresh me banda je njeri i nderuar. Do investoj në Arsim, mund të kem sukses, por edhe mund të dështoj. Historia e komplotit nuk funksionon.
Problemet e shkollës me ministrinë e Arsimit nuk janë të miat, marrëveshjen unë me ta e kam patur korrekte. Kam mbi dy vite që unë po blej godina për të hyrë në sistemin arsimor, ndërsa këtë godinë e kam blerë para disa muajsh.” – tha Sinan Idrizi për “EuroNews Albania.