Si çdo vit, kryeministri Edi Rama së bashku me familjarët e viktimave kanë kryer homazhe në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" për 4 të vrarët 12 vite më parë. Më pas Rama zhvilloi një takim me ta në kryeministri.
Pas takimit, Ana Veizi, vajza e një prej viktimave të 21 janarit, Ziver Veizit bëri thirrje për drejtësi. Ajo tha se kryeministri Edi Rama ka qenë gjithmonë me ta dhe i ka mbështetur.
“Shumë të vështira kanë qenë, vitet kalojnë, dhimbja nuk lehtësohet. Bëhet edhe më e vështirë. Se ne rritemi edhe kuptojmë akoma më shumë se ca është mungesa e babait. Unë besoj tek drejtësia morale. S’do heq dorë së besuari, do përpiqem gjithmonë t’i shkojë deri në fund me aq mundësi sa do kem. Kryeministri ka qenë gjithmonë me ne, na ka mbështetur. Rasti i babit tim është pak më i vështirë për ta marrë SPAK por ne do i shkojmë deri në fund me përpjekjet tona. Duam drejtësi. Besojmë tek drejtësia morale, që s’do reshtim së besuari”, tha Ana Veizi, vajza e Ziver Veizi.