Mediat greke kanë publikuar emrat e dy shqiptarëve të cilët u ndaluan gjatë një kontrolli rutinë, ndërsa në bagazhin e tyre u gjetën dy kallashnikovë dhe një thikë ushtarake, ku dyshohet se kishin planifikuar një atentat.
Bëhet fjalë për shtetasit Viktor Çala, 37 vjeç dhe Andi Beqiri, 23 vjeç. Ata ishin të skeduar më parë nga policia, për vjedhje dhe trafik droge, pranuan se kishin marrë pjesë në një ekzekutim dhe një plagosje.
Mediat fqinje raportojnë se pas arrestimit, Viktor Çala ka pranuar autorësinë dhe të dy atentateve të tjera. Më 31 Korrik ai ka ekzekutuar një 30 vjeçar rom, ndërsa më 15 Qershor ka plagosur një 37-vjeçar shqiptar. Këto krime dyshohet se kanë ndodhur për prishjen e pazareve të drogës.
Ndërkohë, Çala rezulton më parë i arrestuar dhe në Itali pasi bënte pjesë në një grup kriminal italo-shqiptar që shpërndante kokainë të trafikuar nga Holanda. Ndërsa i arrestuari tjetër Andi Beqiri 23 vjeç , është bashkëpunëtor i autorit në disa grabitje të armatosura, por nuk ka asnjë përfshirje në krimet të cilat ai rezulton se ka kryer.
Dy të arrestuarit u dërguan në gjykatë dhe gjatë orëve në vazhdim pritet masa e sigurisë për ta.