Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi masë sigurie me burg për një zyrtarë të Agjencisë së Trajtimit të Pronave të akuzuar për korruspsion, ndërsa caktoi masa të arrestit shtëpiak dhe detyrimit për paraqitje edhe ndaj 9 trashgimtarëve të pronarëve të tokave të shtetëzuara gjatë diktaturës.
Masat u ekzekutuan të hënën më 20 prill, ndërsa në një njoftim për shtyp SPAK bëri me dije se masat e sigurisë ishin marrë pas hetimeve që filluan në vitin 2021 dhe në të cilat u dokumentua përmes mjeteve speciale korrupsioni në 14 raste.
SPAK thotë se inspektori i ATP-së, I.K u merrte para trashëgimtarëve të pronarëve të pronave të shtetëzuara në diktaturë, me premtimin se do mundësonte kompensimin.
“Në analizë të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë moment, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasi I.K., me detyrë Inspektor i Shqyrtimit të Dosjeve pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, të paktën në katërmbëdhjetë raste u ka marrë qytetarëve të ndryshëm, trashëgimtarë të ish pronarëve, shuma parash në shkëmbim të premtimit për të siguruar kompensimin financiar, gjatë trajtimit të kërkesave të tyre për kthimin dhe kompensimin e pronës”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Rasti duket se është vetëm një sindromë e zvarritjes prej vitesh e procesit të kompensimit.
Në dy vitet e fundit, bazuar në raportin e vitit 2022 të ATP u dhanë vetëm 6 vendime kompensimi. Ndërkohë prej vitit 2015 janë dhënë gjithsej vetëm 794 kompensime nga mbi 26 mijë dosje që presin për tu dëmshpërblyer.
Në shkrime të mëparshme BIRN ka gjetur se shumë pronarë nuk kanë shpresë se do të kompensohen edhe me çmimet e caktuara nga qeveria, disa herë më të ulëta se ato të kërkuara prej tyre, raporton BIRN.
Vlen të theksohet fakti se që prej muajit Maj të vitit 2022 që u largua drejtoresha Jonida Baçi nga kreu i Agjencisë së Trajtimit të Pronave, vendin e të cilës e zuri Geraldo Durdaj, janë bllokuar të gjitha kompensimet e pronave për ish-pronarët si dhe kompensimi financiar i pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet informale.
Arsyet mbeten ende të paditura pse Geraldo Durdaj po mban prej një viti të bllokuar kompensimin e pronave.