Policia e Tiuranës ka reaguar mbi arrestimet e 4 zyrtarëve të Universitetit Bujqësor në Kamëz, të cilët akuzohen se kanë abuzuar me një tender.
Blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se në kuadër të operacionit policor të koduar “Tenderat” janë vënë në pranga shtetasit:
- Ali Rasha, 62 vjeç, me detyrë Drejtor i Fermës Didaktike Eksperimentale në Universitetin Bujqësor Tiranë;
- Tahir Ballgjini, me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Bujqësisë;
- Rushit Suna, 59 vjeç, me detyrë specialist i Sektorit të Bujqësisë;
- Ahmet Mejdani, 64 vjeç, me detyrë magazinier në magazinën qendrore në Universitetin Bujqësor Tiranë.
"Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në role të ndryshme, paracaktonin fituesin e tenderave, kryenin hyrje dhe dalje fiktive të mallrave në magazina, duke shpërdoruar detyrën." thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një automjet në pronësi të shtetasit A. R. dhe 5 aparate celulare.
Uniformat blu njoftojnë se vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të impikuar në këtë aktivitet kriminal.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.