Alfred Peza raportohet se ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar, gati tetë muaj pas emërimit në këtë post.
Lajmi nuk është konfirmuar zyrtarisht, ndërsa flitet që dorëheqja i ka shkuar tashmë bordit të RTSH-së, emërimi i Pezës në krye të televizionit publik shqiptar është shoqëruar me kritika të shumta si nga opozita dhe nga kolegët gazetarë.
Është deputetja e PD-së, Ina Zhupa e cila përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se dorëheqja e Pezës është një lajm i mirë.
Opozita ka pretenduar se Peza u emërua drejtor në shkelje, pasi nuk duhet të kishte pasur poste politike si dhe nuk duhet të ishte pronar i agjencive mediatike private.
Më pas, Peza u akuzua se nisi një fushatë shkarkimesh pa motivacion, duke emëruar njerëzit e tij të afërt. Ai u kritikua edhe për marrëveshjen e bashkëpunimit me televizionin shtetëror turk TRT.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Peza u zgjodh në krye të RTSH-së në 13 qershor.