
Gjykata e Posaçme ka shpallur të pafajshëm ish-efektivin Adriatik Logli, që u akuzua në kuadër të një operacioni për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal të kultivimit dhe trafikimit të drogës me mbi 40 të arrestuar.
Shtetasi Xhuliano Aliu u dënua me 5 vjet ndërsa Kristi Dautaj me 10 vjet heqje lirie.
Po këtë të premte në një proces tjetër të ndarë, u shpall vendimi për tre të pandehur të tjerë, përkatësisht Bujar Brahaj që u dënua 10 vite burg, me gjykim të shkurtuar me 6.8 vite, Ertjan Pjetërgjokaj me 8 vite, me gjykim të shkurtuar 5.4. Ndërsa Elton Ukaj me 7 vite, 4.8 me gjykim ta shkurtuar.
Fejzo Meçaj me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë Tepelenë, që është dënuar më herët dhe Adriatik Logli me detyrë punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë, Gjirokastër akuzoheshin për shpërdorim detyre dhe fillimisht ndaj tyre u vendos masa e arrestit në burg.
Gjatë hetimeve, SPAK tha se evidentoi 13 episode kriminale të trafikimit, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve si dhe kultivimit të bimëve narkotike në Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë dhe Lezhë, nga 5 grupe kriminale.
Veprat e dyshuara kriminale janë kryer gjatë periudhës nga muaji mars deri në nëntor të vitit 2020.
Sipas SPAK, Fejzi Meçaj dhe Adriatik Logli, kanë lehtësuar punën e trafikantëve për trafikimin e lëndëve narkotike. Pjesa tjetër e grupeve prej 32 personave u dënuan në total me 200 vite e 6 muaj burg.