Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar të lisë së majmunit deri më tani. Lajmin e ka kofirmuar nëndrejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku, teksa tregon dhe simptomat me të cilat shfaqet kjo sëmundje, qoftë të brendshme apo në sipërfaqe të trupit.
“Zyrtarisht jo, nuk kemi identifikuar akoma asnjë rast të dyshuar me sëmundjen e njohur si lija e majmunëve. Nëse ka ndonjë formë të fshehur që në ditët në vazhdim do nxjerrë kokën, do jemi në kontakt. Si karakteristikë ka fryrje të gjëndrave limfatike, skuqje të fytyrës, gjymtyrëve të tjera, puçcra që zmadhohen, lëngëzohen e rrjedhin.”-u shpreh Ulqinaku në Klan News
Por ndryshe është situata me hepatitin akut, për të cilin autoritetet thonë se ka disa raste të dyshuara edhe në vendin tonë.
“Kemi pasur raste të dyshimta, ndoshta edhe çdo javë me hepatit akut. Shpresojmë që mos të ketë ardhur tek ne,”- deklaron Ulqinaku.
Lija e majmunit dhe hepatiti akut janë dy sëmundje që kanë ngjallur frikë dhe alarm tek autoritetet shëndetësore në mbarë botën. Ndërsa Ulqinaku tha në fund se strukturat në Shqipëri janë në gatishmëri dhe po hetojnë çdo rast, por deri më tani asnjë dyshim nuk është konfirmuar. Po ashtu, shtoi se mjekët po trajnohen për të identifikuar dhe më pas, për të kuruar rastet.