Shërbimi i Kontrollit Teknik feston 30 vjetorin

11 April 2023, 21:18Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shërbimi i Kontrollit Teknik feston 30 vjetorin
30 vite të Shërbimit të Kontrollit Teknik

Data 12 Prill, shënon 30 vite të shërbimit të Kontrollit Teknik për mjetet që janë pjesë e qarkullimit rrugor të Republikës së Shqipërisë.

“Mbështetur në historikun e evoluimit të këtij sektori me të gjithë dinamikat që e kanë karakterizuar atë, duke u ofruar herë nga shteti e herë nga konçesionarët, jemi krenarë që ky shërbim iu besua sërish Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor për t’i rikthyer dinjitetin e munguar.

31 Dhjetori i vitit 2020, shënjoi kapitullimin e 10 viteve shërbim, në kushte të mjerueshme si për nga infrastruktura fizike dhe ajo e ofrimit të shërbimit. Për vite me radhë, kontrolli teknik i automjeteve u kthye në makth për dhjetëra mijëra drejtues automjetesh, për shkak të radhëve të gjata, ku qytetarët duhet të shpenzonin deri në 24 orë për të kryer kontrollin teknik të automjeteve dhe për të mbajtur radhën. Frika e drejtuesve të automjeteve nga mundësia e moskalimit me sukses të mjetit në kolaudim, prodhoi edhe një skemë korrupsioni në pikat e kontrollit, të cilat çonin drejt pasurimit të flotës me mjete të rrezikshme për jetën e gjithë përdoruesve të rrugës si dhe për ndotjen e ajrit dhe ambientit.

Prej 31 Majit 2021 të gjitha Qendrat e Kontrollit Teknik filluan operacionet, me një koncept të ri të ofrimit të shërbimit. Koncept i ri, i karakterizuar me lehtësira që synojnë uljen e kostove për qytetarët si dhe shtime masash shtrënguese në vlerësimin e parametrave teknikë të mjetit me qëllim disiplinimin e flotës së mjeteve rrugore për mbrojtjen e ambientit dhe rritjen sigurisë rrugore në Shqipëri, duke marrë vlerësimet nga TUV RHEINLAND për plotësimin e kërkesave të Standardit EN ISO 9001: 2015, duke i dhënë dritën jeshile certifikimit. Të përkushtuar për të ofruar një shërbim sa më cilësor, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor vazhdon angazhimin e saj drejt ndryshimeve revolucionare ku prej 3 vitesh është angazhuar në rikonstruksionin total të të gjithë ambienteve të Qendrave të Kontrollit Teknik, financuar tërësisht me fondet e saj.

Në përvjetorin e 30-të të këtij shërbimi, festojmë së bashku arritjet, për të lënë në të shkuarën gjithë historikun e errët të këtij shërbimi, dhe për të nxitur promovimin e tij jo vetëm si një kusht ligjor të domosdoshëm, por si një proces jetik për sigurinë rrugore”, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.


Video