Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 31 vatra zjarri. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 14 prej tyre janë aktive, dy në monitorim dhe dy nën kontroll.
Në Abazë të Krujës, zjarri vijon të jetë aktiv, i favorizuar edhe nga era, por nuk paraqet rrezikshmëri për banesat. Për shuarjen e flakëve në terren janë forcat operacionale, të mbështetura edhe nga një helikopter.
Tirana ka ende dy vatra zjarri aktive. Në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës janë angazhuar 30 forca dhe 2 helikopterë të Forcave të Armatosura për shuarjen e flakëve.
Në zonën Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër, ndonëse nuk paraqitet asnjë rrezik për zonat e banuara, në terren po operojnë 40 efektivë me 8 automjete zjarrfikëse, 25 vullnetarë dhe 2 helikopterë.
Pyjet e Lurës janë ende nën flakë, ndërsa operacioni nga toka dhe ajri për izolimin e vatrave vijon prej tre ditësh. Terreni i vështirë dhe era kanë bërë që flakët të shpërndahen në sipërfaqe të mëdha pyjore me pisha e bredha. Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar strukturat e mbrojtjes civile, efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Situata paraqitet e rënduar në Lugaxhi të Elbasanit, pasi zjarri është përhapur në kurorat e pishave. Një vatër e re është evidentuar edhe në Shalës të Cërrikut. Për shuarjen e flakëve në këto dy zona janë angazhuar forca në terren.
Për shkak të terrenit të vështirë, që pamundëson hyrjen në zonat pyjore të Nëmërçkës dhe Dhëmbelit, në Përmet vijojnë të jenë aktive këto dy vatra, por pa paraqitur rrezik për zonat e banuara.
Aktive është edhe në Dhivër të Sarandës një vatër zjarri, teksa ajo në Dhrovjan është nën kontroll.
Sakaq, vatrat e zjarrit në Mallakastër, në Patos, në Drenie, Lofkënd dhe Ngraçije janë izoluar dhe situata mbahet në monitorim, ndërsa puna vijon në ekonominë pyjore të Gjinoqarës. Në Kryezi, Fushë-Arrëz, vatra është nën kontroll, ndërsa në Rrencë dhe Goraj-Budishtë vijon puna për izolimin e plotë.
Edhe në Mirditë vijon ndërhyrja për izolimin dhe mbajtjen nën kontroll të vatrës së zjarrit në fshatin Trojë.
Në terren janë angazhuar 309 efektivë të Forcave të Armatosura, me 22 mjete, 1 autobot, 3 ambulanca, 9 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”, të cilët prej orëve të para të ditës po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrave dhe mbrojtjen e zonave të banuara.