
Një grup prej 168 ish-zyrtarësh të lartë të sigurisë dhe ushtrisë izraelite i kanë dërguar një letër konfidenciale shërbimeve të sigurisë, duke paralajmëruar për rrezikun e një sulmi ndaj Parlamentit të Izraelit, Knesset, më 10 nëntor, ditën kur nis sesioni i ri parlamentar.
Në letër, të firmosur nga ish-shefa të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, ish-drejtues të policisë, Mossad-it dhe Shin Bet-it, paralajmërohet se rreth 1,500 aktivistë të së djathtës mund të tentojnë të pengojnë ceremoninë e betimit të deputetëve. Dokumenti është firmosur në emër të grupimit “Muri i Mbrojtjes së Demokracisë” dhe ngre shqetësimin se mund të përsëritet një skenar i ngjashëm me sulmin ndaj Kapitolit në SHBA, në janar të vitit 2021, pas humbjes së Donald Trump në zgjedhje.
Autoritetet e kanë marrë në konsideratë paralajmërimin dhe pritet që në Jerusalem të vendosen masa të jashtëzakonshme sigurie. Vëmendja do të jetë edhe te Benjamin Netanyahu, për të parë nëse do të nxisë mbështetësit e tij, do të mbajë qëndrim publik apo do të qëndrojë në heshtje. Megjithatë, sipas analizës së gazetës italiane Corriere della Sera, nuk besohet se Izraeli është në prag të një përplasjeje të hapur. Netanyahu nuk ka të njëjtën qasje si Trump, ndërsa procesi politik për formimin e qeverisë së re nuk ka përfunduar ende.
Ish-gjenerali Gadi Eisenkot, të cilit presidenti Isaac Herzog i ka besuar detyrën për të formuar qeverinë e re, ka paralajmëruar se demokracia izraelite po kalon një nga periudhat më kritike të historisë së saj. Këto shqetësime lidhen edhe me rrezikun e tensioneve që mund të nxiten nga krahu i djathtë politik.
Netanyahu, i cili synonte të merrte sërish drejtimin e qeverisë, nuk është tërhequr nga skena politike, pavarësisht humbjes së zgjedhjeve të 27 tetorit. Pak para se Herzog t’i jepte mandatin Eisenkotit, ai publikoi një video ku bëri thirrje për krijimin e një “qeverie të unitetit kombëtar”. Kjo ishte një ndryshim i qëndrimit të tij, pasi vetëm pak ditë më parë kishte kërkuar formimin e një koalicioni të fortë të djathtë.
Eisenkot e kundërshtoi menjëherë propozimin, duke e cilësuar Netanyahun hipokrit dhe të papërmbajtur. Sipas raportimeve të televizionit publik Kan, një përfaqësues i partisë Likud është dërguar ditët e fundit për të shqyrtuar mundësinë e një marrëveshjeje me Eisenkotin, madje edhe të një rotacioni në postin e kryeministrit. Por kjo ofertë është refuzuar pa hezitim.
Një nga arsyet kryesore është mungesa e besimit ndaj Netanyahut. Në vitin 2020, ai kishte arritur një marrëveshje të ngjashme me Benny Gantz, por nuk ia dorëzoi asnjëherë postin e kryeministrit sipas marrëveshjes. Për Eisenkotin, kushti kryesor është që Netanyahu të mos jetë pjesë e qeverisë së re, edhe nëse arrihet një marrëveshje me partinë e tij, Likud.
Në deklaratën e tij publike, Netanyahu paralajmëroi kundër krijimit të një qeverie që do të varej nga partitë islamike, të cilat ai i akuzoi si mbështetëse të Hamasit. Sipas tij, një qeveri e tillë do të sillte në Izrael trazira të ngjashme me ato që janë parë në Evropë dhe do të rrezikonte vetë ekzistencën e vendit.
Nga ana tjetër, Eisenkot po përpiqet të sigurojë shumicën parlamentare pa u varur nga 19 deputetët e partive arabe. Këto zhvillime kanë shtuar përpjekjet për krijimin e aleancave të reja, ndërsa Netanyahu vazhdon të shpresojë se mund të rikthehet në pushtet.
Megjithatë, analisti politik Ben Caspit vlerëson se epoka politike e Netanyahut po shkon drejt fundit. Sipas tij, kryeministri nuk arrin ta imagjinojë veten jashtë pushtetit dhe beson se pa të Izraeli do të përfshihet nga kaosi. Por Caspit mendon të kundërtën, duke theksuar se vendi është përfshirë nga kriza pikërisht gjatë qeverisjes së tij.