Vëllai i ish-kryeministrit hungarez Viktor Orban, Áron Orban, është ndaluar nga autoritetet hungareze, nën dyshimin për përfshirje në trafikimin e qenieve njerëzore.
Lajmi është bërë publik nga kryeministri hungarez Péter Magyar, i cili iu referua raportimeve të mediave për arrestimin e tij.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Magyar bëri të ditur se hetimet po vijojnë nga Zyra Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurive dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
Ish-kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka reaguar brenda pak minutave pasi u raportua se i vëllai është vënë në pranga.
Përmes një postimi të bërë në Facebook Orban shkroi se ai ishte objektivi i vërtetë i operacionit dhe vëllai i tij ishte thjesht një mjet për të arritur një qëllim.
Më tej, Orban shtoi se qeveria duhet t'u përgjigjet pyetjeve para komitetit të sigurisë kombëtare të parlamentit në lidhje me zbulimin e dosjeve të shërbimit sekret të epokës komuniste.
“Larja e hesapeve po përdoret si shpërqendrim. Ajo që po ndodh në Hungari nuk është llogaridhënie, por larje hesapesh. Kur diçka është e papërshtatshme për qeverinë, AVH ndërhyn. Qëllimi i kësaj loje të ndyrë është eliminimi i kundërshtarit politik dhe ndërtimi i një sistemi njëpartiak”, shkroi Orbán, duke shtuar se ai është shnëjestra, ndërsa vëllai i tij është një mjet për të arritur qëllimin.
Sipas mediave hungareze, operacioni është zhvilluar në Budapest dhe në disa zona të qarkut të Pestit, ku janë arrestuar disa persona dhe janë kryer kontrolle në banesa.
Áron Orban ishte përmendur më herët në një hetim që lidhej me skema të dyshuara për lehtësimin e marrjes së vizave Shengen nga shtetas të huaj.
Kompania e lidhur me të dyshohet se kishte ndërmjetësuar regjistrimin e shtetasve vietnamezë në një kurs dyditor të ndihmës së shpejtë në Universitetin e Pécsit, procedurë që dyshohet se mund t’u lehtësonte pajisjen me viza.
Autoritetet hungareze pritet të japin më shumë detaje për operacionin dhe akuzat ndaj personave të ndaluar.