VIDEO: Tensione mes protestuesve dhe Policisë para Kryeministrisë

7 November 2026, 17:53Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

VIDEO: Tensione mes protestuesve dhe Policisë para Kryeministrisë

Përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit kanë vijuar mbrëmjen e së shtunës, më 7 nëntor, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku efektivët kanë ndërhyrë me autobotë uji për të shpërndarë turmën e grumbulluar pranë Kryeministrisë.

Forcat e policisë kanë avancuar me autobotët në zonën e urës së bulevardit, duke përdorur ujë me presion në drejtim të protestuesve.

Këta të fundit janë kundërpërgjigjur duke hedhur fishekzjarrë në drejtim të efektivëve, ndërsa ndërhyrja ka detyruar një pjesë të turmës të tërhiqet nga zona përpara godinës qeveritare.

Pas avancimit të policisë, protestuesit janë grumbulluar në drejtime të tjera. Një pjesë vijon të qëndrojë në bulevard, ndërsa të tjerë janë zhvendosur në trotuaret përgjatë tij.

Deri më tani nuk ka informacion të konfirmuar nëse gjatë ndërhyrjes janë shoqëruar persona nga Policia e Shtetit.

Përplasjet e mbrëmjes pasojnë incidentet e regjistruara më herët përpara Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit dogjën kosha mbeturinash dhe hodhën gurë drejt efektivëve.

Në atë fazë të tubimit, policia përdori ujë me presion dhe spraj lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Më pas, turma marshoi drejt Kryeministrisë, ndërsa gjatë zhvendosjes u regjistrua edhe një incident pranë Pedonales dhe Galerisë së Arteve, ku disa të rinj tentuan të hiqnin një barrierë metalike.

Policia kishte ngritur kordonë sigurie përreth Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit përpara se situata të përshkallëzohej sërish.

Ende nuk ka të dhëna të konfirmuara për persona të lënduar gjatë përplasjeve të fundit.

 


Video