Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar nga ambientet e SPAK-ut ndaj thirrjeve të studentëve protestues kundër tij dhe kërkesave për dorëheqjen e tij.
Berisha tha se këto thirrje e bëjnë krenar dhe i konsideroi një nder, duke deklaruar se është kundërshtar i zyrtarëve që i cilëson si pjesë të narkoshtetit.
“Kjo më bën nder. Berisha është tmerri dhe ferri i narko-zyrtarëve dhe i bandave të tyre. Ndihem krenar!”, tha ai. Berisha iu përgjigj edhe kritikave ndaj PD-së për qëndrimin e saj në raport me protestën studentore. Ai tha se Partia Demokratike ishte ndër të parat që iu përgjigj thirrjes së sindikatave për protestën e 13 tetorit, duke theksuar se ka angazhuar edhe strukturat e Forumit Rinor. “U them puthadorëve të Ramës, se jo ju, shërbëtorë të shpifur të padrinos, këta njerëz e faktuan se kryetarin e tyre e zgjedhin ata dhe askush tjetër. PD ka mbështetur, i është përgjigjur e para thirrjes së sindikatave për protestën e studentëve më 13 tetor. Këto janë dokumente, fakte. Nuk i mohon askush. PD ka lëvizur strukturat e saj të Forumit Rinor, i cili ka degën e vet në universitete. Kjo protestë është studentore. Ata që tentojnë ta kapin, do t’u gjendet vendi. Këta janë ‘Jagot e Flamingove’ dhe sillen si korba. Protesta jo me simbole partiake, pasi ne njohim meritën studentore.”, pohoi ai.
Gjatë komunikimit me gazetarët, kreu i PD-së u ndal edhe te zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke përsëritur akuzat për manipulim të votës dhe ndikimin e grupeve kriminale në rezultat.
Berisha tha se opozita kishte paralajmëruar se do të mbronte votën e shqiptarëve dhe se u kishte paraqitur vëzhguesve ndërkombëtarë dokumente që, sipas tij, dëshmojnë shkeljet gjatë procesit zgjedhor.
Ai iu referua edhe përgjigjes së zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit për urimet e sekretarit Marco Rubio ndaj fituesve të zgjedhjeve, duke e interpretuar atë si një mesazh për kryeministrin Edi Rama.
“PD u tha shqiptarëve se ajo do të mbrojë votën. Siç e keni marrë vesh, në zgjedhjet e 11 majit Rama nuk mori një urim si çdo vit tjetër. Përmes këtij urimi, zëdhënësi i DASH-it iu përgjigj pyetjes së një gazetari se sekretari Rubio uron vetëm ata që dalin fitimtarë nga zgjedhjet e lira. Ia ka dopio gjashtën në orë Ramës. Zgjedhjet janë vëzhguar nga qindra vëzhgues ndërkombëtarë. Që ditën që kanë vënë këmbën në Shqipëri dhe deri sa janë larguar, PD ka paraqitur për ta me qindra dokumente që tregojnë vjedhjen e votës. Kushdo që lexon me vëmendje raportin e ndërkombëtarëve, ka një arbitër aty. Në kundërshtim me afatin ligjor, që nuk mund të ndodhnin, u zhvilluan 450 aktivitete që nuk lejoheshin. Bandat e Fierit, Lushnjës, që i kishte kapur Lubia, të Durrësit, Shkodrës, përcaktuan rezultatin e zgjedhjeve.”, pohoi ai.