Tragjedi në boksin japonez, humbin jetën dy boksierë pas dueleve në të njëjtin event sportiv

10 August 2025, 18:26Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tragjedi në boksin japonez, humbin jetën dy boksierë pas dueleve
Tragjedi në boksin japonez, humbin jetën dy boksierë pas dueleve në të njëjtin event sportiv

Bota e boksit është tronditur nga një ngjarje e rëndë e ndodhur në Japoni.

Dy boksierë japonezë humbën jetën si pasojë e dëmtimeve cerebrale të pësuara gjatë ndeshjeve të tyre, të zhvilluara në të njëjtin event.

Tragjedia ndodhi gjatë eventit sportiv të Korakuen Hall të Tokios, më 2 gusht.

Viktimat janë Shigetoshi Kotari dhe Hiromasa Urakawa, të dy 28-vjeçarë, të cilët ndërruan jetë të premten dhe të shtunën.

Pas ndeshjeve, të dy boksierët u dërguan menjëherë në spital dhe iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale, por nuk mbijetuan.

Sipas Tsuyoshi Yasukochi, sekretarit të Përgjithshëm të Komisionit Japonez të Boksit, kjo është hera e parë në histori që dy boksierë operohen për hematoma në tru pasi morën pjesë në të njëjtin event.

Edhe rivali i Kotarit, Yamato Hata, ka pësuar të njëjtin dëmtim dhe ndodhet në koma. Mjekët nuk japin asnjë garanci për jetën e tij.

Komisioni njoftoi se të gjitha ndeshjet e Federatës së Boksit Oriental dhe Paqësorit do të shkurtohen në dhjetë raunde, nga 12. Kjo masë synon të rrisë sigurinë e boksierëve.

Në muajin shkurt të këtij viti, një tjetër boksier, irlandezi John Cooney, 28 vjeç, humbi jetën si pasojë e një hemorragjie cerebrale.


Video