Të gjithë sytë nga Dusseldorfi, Shqipëria sot përballë provës "finale"

24 June 2024, 09:41Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Të gjithë sytë nga Dusseldorfi, Shqipëria sot

Sot në ora 21:00 në Arena Dusseldorf, Shqipëria luan ndoshta një nga sfidat më vendimtare në historinë e kombëtares së futbollit. Përballë Spanjës, kuqezinjtë do të tentojnë kualifikimin për një vend në fazën 1/8.

Furia e Kuqe ka siguruar kalimin më tej pas dy fitoreve në ndeshjet e para dhe sot vijnë më të relaksuar përballë kombëtares shqiptare. Për ne janë jetike 3 pikë që do të na japin mundësi të kalojmë grupin. Atmosfera ka filluar që dje të ndihet në rrugët e Dusseldorfit, ku mijëra shqiptarë kanë festuar e kënduar në sheshet e qytetit ku do të luhet takimi.

Vetëm me 1 pikë në dy ndeshjet e para, ku ndoshta meritonim më shumë, Shqipëria nuk ka se çfarë të humbasë përballë një kombëtareje si ajo e Spanjës. Iberikët dinë të fshehin topin dhe këtë e treguan në ndeshjen ndaj Italisë, ku rezultati ishte minimal 1-0 falë një autogoli të Calafiorit, por diferencat ishin të mëdha. Pritet të shikohet si do të jetë qasja e Sylvinhos ndaj tiki-takas spanjolle.

Janë paralajmëruar disa ndryshime në formacionin kuqezi për mbrëmjen e sotme. Pas pezullimit me dy ndeshje të Dakut, për koret raciste pas ndeshjes me Kroacinë, i gjithë grupi do të jetë në dispozicion të teknikut brazilian. Mendohet se nga minuta e parë do të luajë Armando Broja në majën e sulmit. Por një vend mund të ketë në formacion edhe për Arbër Hoxhan, djaloshi që shkëlqeu në pjesën e dytë ndaj kroatëve duke krijuar aksionin e golit të dytë.

Sylvinho në konferencën e djeshme  vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, por u shpreh optimist për lojën e djemve të tij në fushë. Të njëjtin optimizëm për këtë ndeshje kanë treguar edhe futbollistët e kombëtares në prag të kësaj sfide. Nga ana tjetër trajneri spanjoll De la Fuente lajmëroi se mund të luajë me formacionin e dytë përballë Shqipërisë pasi i ka mbyllur llogaritë me grupin, por nuk dha asnjë sinjal se të tijët do tolerojnë diçka ndaj Shqipërisë.

Situata në grupin B mbetet mjaft e paqartë, përveçse për Spanjën. Edhe Kroacia me Italinë luajnë shanset e kualifikimit, pasi do të ndeshen paralelisht me sfidën Shqipëri Spanjë. Italianët janë dukshëm më të avantazhuar, me 3 pikë të grumbulluara në fitoren ndaj Shqipërisë në ndeshjen e parë.

Kroacia siç duket e ka humbur shkëlqimin e viteve më parë, me 1 pikë të marrë këtë Europian, por sot edhe djemtë e Daliç do tentojnë gjithçka për më tej pasi matematika i mban ende në lojë për kalimin në 1/8.


Video