
Rikthehet dhuna në stadiumin e Laçit. Dje ndeshjen mes kurbinasve dhe Partizanit janë regjistruar disa episode dhune, që kanë detyruar edhe gjyqtarin Xhaja të ndalojë ndeshjen.
Që në fillim situata ka qenë e nxehtë me ofendime, por në pjesën e dytë tensioni kaloi në tjetër nivel. Mësohet se nga tribuna kryesore ka pasur hedhje të shumta sendesh drejt lojtarëve, gjyqtarëve dhe stafit të Partizanit. I lënduar ka mbetur menaxheri i ekipit të kuq, Amarildo Dajlani, i cili u inkuadrua nga kamerat dhe u pa me akull në pjesën e veshit, pas goditjes me një shishe me ujë.
Gjithashtu, është vënë re një organizim i dobët nga ana e klubit kurbinas sa i përket sigurisë. Në ndeshjet e Laçit ka pasur gjithnjë prani të FNSH-së, por dje ky repart policor nuk ka qenë i pranishëm.
Përveç incidenteve me kundërshtarët, mësohet se në pushimin mes pjesëve drejtuesit e Laçit kanë kërcënuar dhe ofenduar arbitrat. Këta të fundit kanë marrë në konsideratë edhe pezullimin e sfidës pas situatës në të cilën janë ndodhur.
Asnjë drejtues i Partizanit nuk ka qenë i pranishëm në tribunë.
Nga ana tjetër, klubi i Partizanit reagoi për ngjarjet e dhunës të regjistruara në Laç.
Nëpërmjet një deklarate për mediat, të shoqëruar edhe me video, të kuqtë dënuan ashpër incidentet e ndodhura.
“Ndonëse Partizani kishte udhëtuar në Laç, për të luajtur vetëm një ndeshje futbolli, është gjendur në mes të një situate aspak normale, që nuk ka lidhje fare me futbollin apo më keq akoma me rregullat ‘Fair Play’. Dhuna verbale u shoqëruar me një dhunë fizike duke u goditur jo vetëm zyrtarët e klubit tonë, por edhe futbollistët që kishin zbritur në fushë të ushtronin profesionin e vet”, shkruhej në njoftim.
Partizani kërkoi nga federata reagim të fortë dhe veprim, si edhe nga organet e policisë së shtetit që të identifikojnë dhunuesit që vijnë nga tribuna VIP dhe ti dërgojë para drejtësisë.