
Eliminimi nga Champions League që në raundin e 1/8-ave ishte dështimi i radhës për Paris Saint Germain. Klubi francez rrezikon të pësojë ndryshime të shumta në prag të sezonit të ri. Në mesin e largimeve pritet të jetë braziliani Neymar. Sulmuesi nuk ka arritur të tregojë potencialin e tij në “Parc de Prince”, kjo e ndikuar edhe nga forma fizike e penalizuar nga dëmtimet e shumta.
Ardhja e yllit brazilian te PSG mund të konsiderohet si gabimi më i madh i transferimeve në historinë e klubit për sa i përket objektivit kryesor që e morën në Francë. Sipas mediave, Neymar tashmë mund të largohet që në merkaton e kësaj vere. Klubi është i gatshëm ta largojë atë nga skuadra dhe ta shesë për ofertën më të lartë.
Edhe pse 222 milionë Eurot janë të pamundura për t’u marrë, shifër kjo e shpenzuar për ta blerë nga Barcelona, PSG kërkon që ta shess për të paktën 100 milionë euro. Gjasat që Neymar të firmosë me një skuadër europiane mbeten shumë të vogla, kjo për shkak edhe të kushteve ekonomike që përfiton braziliani. Barcelona mbetet destinacioni më i mundshëm, pavarësisht se spanjollët nuk kanë fondet e duhura për të kryer këtë operacion që do të ishte një nga më të bujshmit e viteve të fundit.