Portieri i “lutet” Neymarit para penalltisë: Më trego krahun nga do gjuash, kam familjen në stadium...

12 May 2022, 17:15Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Portieri i “lutet” Neymarit para penalltisë: Më trego

PSG zbriti në fushë si kampione e Francës në ndeshjen e fundit të kampionatit, ndërsa përballë kishte Troyes, skuadër që gjithashtu ka siguruar qëndrimin në Ligue 1 edhe për sezonin e ardhshëm.

Me të dyja ekipet që ishin pa objektivat, 90 minutat prodhuan katër gola me ndeshjen që u mbyll në barazim 2-2.

Ndërkaq, një episod pikant ishte ai i minutës së 25-të kur PSG fitoi penallti dhe nga pika e bardhë u paraqit Neymar. Para se të ekzekutonte penalltinë, portieri i Troyes, Jesse Moulin ishte autor i një kërkese të pazakontë ndaj brazilianit.

36-vjeçari iu afrua Neymar dhe i kërkoi t’i tregonte krahun e penalltisë pasi nëse do t’ia dilte të priste goditjen atëherë do të shihej si një hero, aq më tepër që edhe familja e tij ishte në stadium.

“Iu afrova dhe i thashë se nëse unë i prisja penalltinë, atëherë do të kthehesha në një hero. Neymar nisi të qeshte, por unë insistova dhe iu luta që të paktën të më tregonte krahun nga do të godiste. I thashë se në stadium ishte mamaja, babai, vëllezërit dhe gruaja ime. Ata të gjithë i kishin sytë tek unë dhe i thashë se doja t’i bëja krenar. Neymar vazhdonte të qeshte dhe më tha të zgjidhja krahun në të cilin do të hidhesha. Por, unë këmbëngula dhe i thashë sërish të më tregonte krahun nga do të godiste, nuk më tregoi asgjë. Prandaj në fund ngela në mes të portës pa bërë asgjë”, u shpreh Moulin, ndërsa nga ana tjetër, Neymar nuk tregoi aspak mëshirë dhe nuk e mori parasysh kërkesën e portierit kundërshtar duke shënuar golin numër 12 në kampionat.


Video