
Kukësi nuk mori dot më shumë se 1 pikë ndaj Egnatias në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të të Kategorisë Superiore.
Verilindorët e nisën sfidën mirë dhe në kërkim të fitores që në minutat e para. Egnatia zgjohet në minutën e 30-të me Bledar Lilës që provon të surprizojë verilindorët, por kundërsulmit i mungon finalizimi i sukesshëm.
Dy minuta më vonë, Kukësi gjen golin e avantazhit dhe 1-0 mbyllet pjesa e parë. E dyta nis e vakët për të dyja skuadrat, ndërsa në minutën e 62-të rrogozhinasit pretendojnë për një penallti për prekje të topit me dorë, por nuk është i këtij mendimi gjyqtari kryesorë i këtij takimi.
Goli mbërrin çerek ore më vonë, kur Imeri shënon dhe barazon gjithçka. Në minutat e mbetura, Kukësi u përpoq sërish që të gjejë golin e avantazhit, por pa ja dalë mbanë.
Ndeshja mbyllet 1-1, ku Kukësi mban vendin e tretë, ndërsa Egnatia të shtatin.