
Shqipëria nuk do të organizojë Superkupën e Evropës në vitin 2028. Pavarësisht interesimit të shprehur publikisht nga kryeministri Edi Rama dhe lobimit të Federatës Shqiptare të Futbollit për ta sjellë këtë event në “Air Albania”, UEFA ka zgjedhur një tjetër destinacion. Finalja e vitit 2028 do të zhvillohet në Astana të Kazakistanit.
Kandidatura shqiptare ishte bërë publike prej kohësh. Në shtatorin e vitit të kaluar, Edi Rama, në prani të presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, kishte kërkuar që Superkupa e Evropës të zhvillohej në Tiranë në vitin 2028. “Në 2028-ën do të sillni finalen e Superkupës”, ishte shprehur Rama gjatë takimit me drejtuesit e UEFA-s.
Interesin e Shqipërisë e kishte konfirmuar më pas edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Ai deklaroi se federata po lobonte për organizimin e Superkupës së Evropës 2028 në Shqipëri dhe se “Air Albania” ishte pjesë e kandidaturës.
Por vendimi i UEFA-s nuk ishte në favor të Tiranës. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, në mbledhjen e zhvilluar sot në Selanik, përcaktoi stadiumet pritëse për Superkupat e viteve 2027 dhe 2028. Edicioni i vitit 2027 do të zhvillohet në “Johan Cruyff ArenA” të Amsterdamit, ndërsa Superkupa e vitit 2028 do të luhet në “Astana Arena”, në kryeqytetin e Kazakistanit.
Kështu, pas përpjekjeve për ta sjellë një tjetër finale të madhe evropiane në “Air Albania”, Shqipëria mbetet pa Superkupën. Tirana kishte pritur më parë një finale të UEFA-s, atë të Conference League në vitin 2022 mes Roma-s dhe Feyenoord-it, dhe një tjetër event të madh evropian do të ishte një mundësi e rëndësishme për futbollin shqiptar.
Vendimi i UEFA-s është një zhgënjim për kandidaturën shqiptare, sidomos pas kërkesës së drejtpërdrejtë të Ramës dhe deklaratave të Dukës për ambicien e FSHF-së.
Megjithatë, Shqipëria do të vijojë të ketë një rol në organizimin e eventeve të mëdha të UEFA-s, pasi vendi është pjesë e organizimit të Kampionatit Evropian U-21 në vitin 2027 së bashku me Serbinë.